Mustafi: Trupi Koordinues funksionon si bankë politike, jo si agjenci për mundësi zhvillimi

0
220

Kryetari i PVD-së dega në Bujanoc, njëherit edhe këshilltarë në Asamblenë Komunale të Bujanocit Ragmi Mustafi, ka reaguar në deklaratën e kryetarin e Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Aleksandar Martinoviq.

Mustafi ka theksuar në reagimin e tijë se “Ky “trup”, që në thelb përfaqëson një përpjekje të Beogradit për të menaxhuar politikisht komunat me shumicë shqiptare, funksionon si kanal kontrolli, dhe jo si mekanizëm zhvillimi. Me një strukturë qendrore e përmes partisë/shtet (Mitroviqin e SNS-in) vendos për gjithçka – nga projektet infrastrukturore deri te përzgjedhja e bashkëbiseduesve lokalë. – Trupi Koordinues ka zëvendësuar parimin e vetëqeverisjes lokale me një sistem të centralizuar, paternalist dhe përjashtues”

POSTIMI I PLOTË I MUSTAFIT

Trupi Koordinues për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë është ndoshta institucioni më paradoksal. I themeluar për të zgjidhur krizën e arrit barazinë me komunat e qendrës, në praktikë ka prodhuar status quo. I financuar për zhvillim, por realisht ka ushqyer klientelizmin. I ndërtuar për bashkëpunim ndëretnik, por i komanduar nga një logjikë e njëanshme shtetërore.

Ky “trup”, që në thelb përfaqëson një përpjekje të Beogradit për të menaxhuar politikisht komunat me shumicë shqiptare, funksionon si kanal kontrolli, dhe jo si mekanizëm zhvillimi. Me një strukturë qendrore e përmes partisë/shtet (Mitroviqin e SNS-in) vendos për gjithçka – nga projektet infrastrukturore deri te përzgjedhja e bashkëbiseduesve lokalë. – Trupi Koordinues ka zëvendësuar parimin e vetëqeverisjes lokale me një sistem të centralizuar, paternalist dhe përjashtues.

Në emër të zhvillimit ekonomik, Trupi Koordinues ka ndarë fonde që rrallë herë kanë prekur komunitetet shqiptare. Përzgjedhja e projekteve sipas “interesit të shtetit”, dhe në shumë raste duke favorizuar zonat me shumicë serbe apo aktorët politikë të afërt me strukturat shtetërore. Pra, Trupi Koordinues funksionon si bankë politike, jo si agjenci për mundësi zhvillimi.

Trupi Koordinues shfaqet në media si promotor i “multietnicitetit”, por ky multietnicitet është i kurdisur dhe artificial duke mohuar pabarazinë. Në vend të bashkëpunimit, ka përzgjedh kujdesshëm partnerët shqiptarë në Bujanoc, që nuk kundërshtojnë narrativën shtetërore dhe nuk e problematizojnë diskriminimin institucional. Kështu, “bashkëpunimi ndëretnik” bëhet mjet për të heshtur kërkesat legjitime të shqiptarëve dhe për të ndërtuar fasadën e harmonisë që nuk ekziston në realitet.

Në vend që të jetë garantues i zhvillimit të drejtë, Trupi Koordinues është kthyer në instrument të kapjes së hapësirës politike shqiptare në Luginë. Ai nuk funksionon më si urë, por si mur ndarës mes kërkesave legjitime të shqiptarëve dhe përgjigjeve të shtetit serb. Nuk ka më besueshmëri, as kapacitet për t’u ripërtërirë pa ndryshim rrënjësor të strukturës, mandatit dhe mënyrës së financimit.

Martinoviću, živ si!? ka shkruar Mustafi.