Sipas të dhënave që tashmë janë publike nga shumë media serbe, brenda 15 ditëve pritet që shërbimi ushtarak në Serbi të rikthehet si obligativ për meshkujt deri në moshën 30 vjeç dhe vullnetarë për gjininë femrore.
Që nga periudha e konfliketeve të armatosura të rinjtë shqiptarë të Luginës së Preshevës nuk iu kanë përgjigjur ftesave për kryerjen e shërbimit ushtarak serb, kjo, për siç është e njohur në opinion shkaqe sigurie, ndërsa që nga viti 2011 shërbimi ushtarak serb ligjërisht nuk ka qenë obligativ, përveç evidencës ushtarake të rinjtë shqiptarë nuk kanë patur tjetër obligim në këtë drejtim.
Si do të ndikojë kjo tek të rinjtë shqiptarë, a duhet që ata ti përgjigjen shërbimit obligativ ushtarakë serb, apo do të ketë edhe pasoja në këtë drejtim, lidhur me këtë LajmiAL ka zhvilluar bisedë me Ragmi Mustafin kryetarë i PVD-së dega në Bujanoc, njëherit këshilltarë në KK të Bujanocit dhe këshilltar politik i zëvendëskryeministrit të parë për integrime evropiane, zhvillim dhe dialog në Qeverinë e Kosovës – Besnik Bisljimit.
LajmiAL: Z Mustafi, a janë plotësuar kushtet që të rinjtë shqiptarë të Luginës ti përgjigjen shërbimit ushtarak serb?
Mustafi: Në vend që të kultivojë fqinjësinë e mirë dhe stabilitetin rajonal, ndërmerr veprime luftënxitëse. Në vend të paqes e drejtësisë, paralajmëron rikthimin e sherbimit ushtarak të detyrueshëm pushteti i Vuçiqit. Në vend të demokracisëë dhe bashkepunimit, kërcënon dhe cënon sigurinë gjithandej rajonit. Shqiptaret e Luginës së Preshevës do ta refuzojnë detyrimin ushtark në Serbi, si kundërpërgjigje ndaj mendësisë e të rikthyerit në të kaluarën e përgjakshme.
Serbia, sot nuk është e kërcënuar nga asnjë prej vendeve fqinje, madje përkundrazi, rasti i 24 shtatorit vitit të kaluar në Banjskë ka treguar për cenimin e integritetit të vendeve fqinje dhe kush synon agresorin.
Së pari, të rinjtë shqiptarë të Luginës nuk mund dhe nuk duhet të pranojnë të kryejnë shërbimin ushtarak në Serbi. Si mund të flasim për shërbim ushtarak në një shtet ku diskriminimi ndaj shqiptarëve është i rrënjosur? Kjo është një situatë që nuk ka lidhje me detyrim ligjor, por me një parim bazë të dinjitetit dhe respektit për të drejtat tona. Në një shtet ku shqiptarët trajtohen si qytetarë të dorës së dytë, ku ka një histori tmerrshme diskriminimi, nuk mund të kërkohet nga të rinjtë tanë që të vënë jetën dhe të ardhmen e tyre në duart e atyre që nuk i njohin as këto të drejta.
LajmiAL: Sa do të jetë e sigurtë kryerja e shërbimit ushtarakë nga të rinjtë shqiptarë, nëse Serbia i kushtëzon që ta kryejnë shërbimin ushtarakë?
Mustafi: Të rinjtë shqiptarë, në këto kushte, nuk kanë asnjë garanci për sigurinë e tyre. Flasim për një shtet ku politika ndaj shqiptarëve ka qenë gjithmonë e ndarë nga standardet e demokracisë dhe barazisë. Pra, kush mund të na sigurojë se ata do të trajtohen me dinjitet? Ne e dimë shumë mirë çfarë do të thotë të jesh shqiptar në Serbi dhe nuk duhet të lejojmë që rinia jonë të përballet me një realitet të tillë të pasigurt dhe të padrejtë.
LajmiAL: Sa do ta përkeqësonte kjo çështje, gjndjen edhe ashtu të brishtë, në Luginë të Preshevës?
Mustafi: Kjo çështje vetëm sa do të acaronte situatën tashmë të brishtë në Luginë. Kryerja e shërbimit ushtarak nga të rinjtë shqiptarë, nën këto kushte, do të shënonte një përkeqësim të marrëdhënieve ndëretnike dhe një rritje të tensioneve. Ne nuk mund ta lejojmë që një politikë e tillë të vendosë mbi fatin e të rinjve tanë.
LajmiAL: A do të duhet që paraprakisht të ndërmiret diçka në këtë drejtim?
Mustafi: Çfarë duhet bërë? Përpara se të diskutohet për shërbim ushtarak, Serbia duhet të sigurojë një gjë të thjeshtë: të drejtat themelore të shqiptarëve në Luginë. Pa barazi, pa drejtësi, pa respekt, pa të drejta të garantuara, nuk ka vend për asgjë. Nuk mund dhe nuk duhet të lejojmë që rinia jonë të përballet me një padrejtësi të tillë./LajmiAL/












