Mustafi: Ndihma financiare e Kosovës për bujqit shqiptarë, një përpjekje për të siguruar që prania shqiptare në Luginë nuk do të venitet kurrë

0
398

Ragmi Mustafi këshilltarë politik i Zëvendëskryeministrit të parë të Qeverisë së Kosovës Besnik Bislimit ka falënderuar Qeverinë e Kosovës për ndarjen e ndihmës financiare për bujqit shqiptarë të Luginës së Preshevës.

Sipas Mustafit, tashmë edhe Kosova po vepron, dhe përmes mbështetjes së saj me fond të veçantë, fermerët shqiptarë do të fuqizohen për të qëndruar në vendin e tyre, për të punuar tokën dhe për të vazhduar rrugën e tyre, duke ruajtur identitetin dhe dinjitetin kombëtar.

Qeveria e Kosovës përmes KKSH-së do të ndajë 1 milion euro ndihmë financiare të pakthyeshme për bujqit e Luginës së Preshevës.

Postimi i plotë i Mustafit

🧑‍🌾🇦🇱Bujku shqiptar në Luginën e Preshevës ka një lidhje të thellë dhe të rrënjosur me tokën, një lidhje që shkon përtej bujqësisë si aktivitet ekonomik.

🚜Për fermerin e Luginës, çdo arë e punuar është një akt rezistence në kushte diskriminuese. Bujqësia nuk është vetëm një mjet mbijetese, por edhe një formë për të treguar qëndresën dhe për të mbrojtur ekzistencën e kombit.

🌅⛰️Pra, toka për të është simbol i ekzistencës së kombit shqiptar. Ashtu si në të kaluarën, kur shqiptarët e Luginës kanë përballuar sfida të mëdha, puna në tokë për ta është: mbajtja gjallë e shpresës dhe identitetit kombëtar. 🌾

🏡Tashmë edhe Kosova po vepron, dhe përmes mbështetjes së saj me fond të veçantë, fermerët shqiptarë do të fuqizohen për të qëndruar në vendin e tyre, për të punuar tokën dhe për të vazhduar rrugën e tyre, duke ruajtur identitetin dhe dinjitetin kombëtar. 🇽🇰

Serbia 🇷🇸ka mbyllur dyert prej kohësh për bujkun e Luginës, dhe kur sejmenët lokal i ndërprejnë edhe ato pak fondet dhe përpiqen t’i largojë shqiptarët nga rrënjët e tyre, bujku shqiptar i Luginës, i mbështetur nga Qeveria e Kosovës, do të refuzon të largohet.

🌳Bujku do të vazhdoj të kultivojë tokën e kulturën duke ndjekur një rrugë që ruan historinë dhe traditën e tij me krenari. Ky qëndrim është një shenjë e fortë e ruajtjes së substancës kombëtare, një përpjekje për të siguruar që prania shqiptare në Luginë nuk do të venitet kurrë.🧑‍🌾

Faleminderit Qeveria e Republikës së Kosovës

Faleminderit Albin Kurti

Faleminderit Besnik Bislimi