Nënshkrimi i marrëveshjes në zyrën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nga subjektet politike shqiptare për krijimin e një liste të përbashkët për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, më 25 tetor 2026, duket se nuk i ka gëzuar të gjithë në Luginën e Preshevës.
Marrëveshja, e cila në parim është vlerësuar si historike dhe si një përpjekje për unifikimin politik të shqiptarëve të Luginës, qysh të nesërmen ka nisur të prodhojë pakënaqësi dhe reagime nga simpatizantë të subjekteve politike.
Në rrjetet sociale kanë filluar të shfaqen hapur thirrjet për mosmbështetjen e listës së përbashkët, “Lugina e Bashkuar” ndërsa reagimet e para kanë ardhur nga tabori i koalicionit qeverisës shqiptar, përkatësisht nga radhët e Frontit për Bashkim në Komunën e Bujanocit.
Një pjesë e këtyre reagimeve duket se janë të drejtuara veçanërisht kundër kandidaturës së Shaip Kamberit nga PVD-ja. Nga ana tjetër, ka edhe simpatizantë që publikisht kanë deklaruar se votën e tyre për deputet e kishin planifikuar ta mbështesnin për Driton Rexhepin, kryetarin e Kuvendit Komunal të Bujanocit dhe partnerin e koalicionit qeverisës në këtë komunë.


Veçanërisht është përfolur fakti se subjekti i vetëm politik që nuk ishte ftuar në kabinetin e kryeministrit Kurti gjatë nënshkrimit të marrëveshjes për krijimin e listës së përbashkët për zgjedhjet parlamentare në Serbi ishte Lëvizja për Bujanocin, e drejtuar nga Driton Rexhepi.
Ndërkohë, deri në këto momente, tre subjekte politike tashmë kanë paraqitur kandidatët e tyre për listën “Lugina e Bashkuar”, e cila pritet të garojë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi më 25 tetor 2026.
Kandidatët e bërë publikë deri më tani janë:
- PVD – Shaip Kamberi nga Bujanoci
- APN – Visar Memeti nga Presheva
- PD – Bajram Mustafa nga Medvegja
Nga ajo që po diskutohet në opinionin publik, PD-ja duket se është subjekti që ka treguar më shumë gatishmëri për përfshirjen e drejtpërdrejtë të Komunës së Medvegjës në proces, duke nominuar një kandidat nga kjo komunë, ndërsa Nagip Arifi si kryetarë i këtij subjekti nuk i ka dhënë luksin vetës së tijë për të kandiduar në këtë listë.
Mbetet të shihet nëse marrëveshja për listën e përbashkët do të arrijë të bashkojë elektoratin shqiptar të Luginës së Preshevës, apo nëse pakënaqësitë e shfaqura menjëherë pas nënshkrimit do të shndërrohen në përçarje të reja politike.
Një gjë tashmë është e qartë: marrëveshja që u prezantua si simbol i unitetit politik shqiptar në Luginë ka hapur edhe debatin e parë të madh brenda vetë elektoratit shqiptar.












