Mitroviç: Kamberi po bllokon përfaqësuesit e KKSH të marrin pjesë në dialog

0
242

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Trupit Koordinues dhe kryetar i degës së SNS në Bujanoc, Nenad Mitroviç, ka kritikuar deputetin shqiptar Shaip Kamberin, duke e akuzuar se nuk po lejon përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptar të marrin pjesë në dialog me përfaqësuesit legjitimë të shtetit serb.

Ai i ka kujtuar Kamberit edhe rastin e votimit në Tërnoc, duke thënë se në vitin 2022, në vendvotimin e Tërnocit të Madh, për shkak të mungesës së atyre votave “çuditshëm magjike”, u përsërit votimi pesë herë derisa ai u bë deputet në Kuvendin e Serbisë.

Postimi i Mitroviçit:

“Më e lehta është të kritikosh!

Kamberi dhe PDD që nga viti 2002 e deri më sot kanë qenë pushtet ose pjesë e pushtetit në Preshevë, ndërsa deri në vitin 2024 edhe në Bujanoc.

Në këtë periudhë, për z. Kamberi marrëveshjet nuk kanë qenë ‘dokumente bosh’, integrimi nuk e ka shqetësuar sepse vetë ai ishte ‘i integruar’; nuk e kanë interesuar tekstet shkollore, pasivizimi, plani 7 pikësh, as dialogu – sepse ishte pushtet lokal. Për bashkëkombësit e tij shqiptarë nuk kujdesej.

Sot ai nuk lejon që përfaqësuesit e KKSH të marrin pjesë në dialog me shtetin serb dhe sërish tregon se nuk kujdeset për shqiptarët.

Kur përfaqësuesit legjitimë të shqiptarëve dalin me propozime për zgjidhjen e problemeve, ai i quan tradhtarë të zgjedhur me vota të ‘çuditshme e magjike’, duke harruar se vetë në Tërnoc u mbajtën pesë herë zgjedhje derisa ai u zgjodh deputet!

Në vend që të kritikojë çdo përpjekje për përmirësimin e jetës në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, do të ishte më e dobishme që me përvojën e tij të kontribuonte në dialog, për të përmirësuar pozitën e pakicës shqiptare.”