Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar se në kuadër të ligjit të ri me emrin “Më në fund të vetët në tokën e vet”, legalizimi për rreth 80% të objekteve në Serbi do të kushtojë 100 euro, ndërsa më e shtrenjta do të jetë legalizimi i një banese prej 200 metrash katrorë në Terazi, me çmim 1.000 euro.
“Sipas një aplikimi të thjeshtë, pa procedura të komplikuara dhe në formë digjitale, ne do t’i regjistrojmë të gjitha objektet dhe do të vendosim për pronësinë”, tha Vuçiq gjatë fjalimit në Pallatin e Serbisë.
Ai theksoi se në Serbi ekzistojnë 4.8 milionë objekte që përdoren pa të drejtë pronësie dhe pa leje shfrytëzimi.
“Shtetasit nuk mund t’i vendosin këto objekte nën hipotekë, të marrin kredi apo të përdorin lirshëm pronën e tyre. Njëkohësisht nuk paguhet tatimi mbi pronën, gjë që sjell humbje për shtetin”, u shpreh ai.
Procedurën e legalizimit do ta kryejë Agjencia për Planifikim Hapësinor.
“Kudo do të keni informacionet, mjafton një fletë aplikimi dhe deri në fund të vitit, brenda 60 ditësh, objekti juaj bëhet i legalizuar”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se kjo do të mundësojë kushte më të favorshme për kredi, pasi pasuritë e paluajtshme të regjistruara do të mund të përdoren për hipotekë, ndërsa tregu i banesave do të rregullohet dhe çmimet do të bien, sepse edhe ndërtimet e paligjshme do të futen në treg.
Sipas tij, për qytetet si Novi Sadi, Nishi, Kragujevci e të tjerë, së bashku me rrethinat që kanë mbi 100.000 banorë, çmimi i legalizimit do të jetë nga 100 deri në 500 euro. Në fshatra do të jetë maksimumi 100 euro, në zonat periferike deri në 200 euro, ndërsa në qendrat e qyteteve çmimi do të përcaktohet sipas zonave dhe do të jetë më i lartë.
Vuçiq shtoi se shteti nuk mund të marrë përgjegjësi për çështje teknike si lejet e përdorimit, por mund të garantojë të drejtën e pronësisë. Ai paralajmëroi se objektet që do të ndërtohen ilegalisht në të ardhmen do të konfiskohen dhe do t’u jepen shkollave ose jetimoreve.












