Komisioni për ndarjen e mjeteve stimuluese sipas Konkursit nga Programi mbështetës për zbatimin e politikës bujqësore dhe politikën e zhvillimit rural të komunës së Bujanocit në vitin 2025, këtë vit ka arritur të ndajë 7.471.814.49 dinarë për bujqit e komunës së Bujanocit dhe tri shoqatat e bletarëve, nga gjithsej 9.000.000 sa ishin dedikuar këtë vit për bujqit.
Sipas kësaj matematike shihet se nga mjetet e parapara për bujqit në arkën e komunës pa u shpenzuar kanë mbetur 1.528.186 dinarë, mjete të cilat me buxhetin e komunës së Bujanocit për vitin 2025 ishin të dedikuara për bujqit.
Sipas konkursit të shpallur shuma e përgjithshme e mjeteve prej 9 milion dinarë ishte paraparë të shpenzohen sipas arritjes aplikacioneve, varësisht nga arritja e tyre dhe mjetetve të kërkuara nga bujqit, të cilat do të duhej të arrinin përafërsisht shumën e paraparë me konkurs.
Megjithatë komisioni, çuditërisht konkursin e ka mbyllur parakohe, por si duket jo në përputhje me shpenzimin e mjeteve të parapara, ngase sipas matematikës së publikuar në Aktvendim nuk kanë arritur ti shpenzojnë edhe 1.528.186 dinarë ose mbi 13.000 euro të dedikuara për këtë çështje.
Nëse kjo shumë përpjestohet me shumën mesatare të ndarë në këtë konkurs, që është jo më e madhe se 120.000 dinarë i bie që edhe 12 familje të cilat merren me bujqësi në komunën e Bujnaocit kanë mundur të jenë përfitues të mjeteve financiare, si duket dikujt nuk i ka punuar mirë KALKULATORI.
Për hir të informimit më poshte do të ju paraqesim formën e ndërprerjes së konkursit të publikuar në faqen zyrtare të komunës së Bujanocit e cila është publikuar dy ditë pas shpalljes së konkursit, gjegjësisht konkursi është hapur më 23.07.2025, ndërsa është ndërprerë më 25.07.2025:
NJOFTIM
mbi përfundimin e thirrjes publike për ndarjen e fondeve stimuluese në bujqësi
Bazuar në Nenin 11 të Rregullores për Kushtet dhe Mënyrën e Përdorimit të Fondeve Nxitëse në Bujqësi si Mbështetje Financiare për prodhuesit bujqësorë në përmirësimin dhe zhvillimin e bujqësisë në komunën e Bujanocit, prodhuesit bujqësorë informohen me anë të kësaj se thirrja publike për ndarjen e fondeve nxitëse është ndërprerë.
Komisioni për Ndarjen e Fondeve Stimuluese në Bujqësi, sipas sistemit “i pari që vjen, i pari shërbehet”, përpunoi aplikimet e pranuara dhe bëri një përmbledhje të statusit, si rezultat i së cilës u përcaktua se numri i aplikimeve të pranuara është i mjaftueshëm për shpenzimin e fondeve të parashikuara për këtë masë.
Prandaj, Komisioni nuk do të pranojë aplikimet e reja.
Falënderojmë të gjithë prodhuesit për interesin e tyre të shprehur.
Në Bujanoc, 25.07.2025.
Nga ana tjetër kjo është një pjesë e vendimit të shpalljes së konkursit dhe forma se si është përpiluar konkursi, por se si mbetën mbi 1.5 milion dinarë të pashpërndara, kjo është pyetje që komisioni i konkursin të lartpërmendur duhet ti përgjigjet.













