Lutfiu: Së shpejti takimi i radhës me liderët, për unifikimin. Do të ketë unifikim: PO apo JO?

0
410

Kanë kaluar plotë 36 ditë nga takimi i parë i subjekteve politike shqiptare në komunën e Bujanocit të mbajtur në selinë e KKSH-së, me qëllim të unifikimit për një listë të përbashkët për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Ky takim ishte mbajtur vetëm një ditë pas atij të spektrit politik serb i cili kishte po të njetin qëllim. Nga ajo periudhë asnjëra nga palët nuk është takuar më për ta jetësuar këtë nismë. Megjithatë, jo se nuk është përfoluar kjo çështje në opinion. Lidhur me këtë ka patur shumë teza, njëra ndër to është, unifikimin e spektrit politik shqiptarë mund ta nxisë vetëm një unifikim i palës serbe, në të kundërtën kjo vështirë se mund të ndodhë! Ka edhe nga ato që thuhet se, tash është periudha që më shumë se kurrë nevoitet unifikimi i spektrit politik shqiptarë, ose na “Mori lumi”. Si do që të jetë, një takim i dytë sipas kryetarit të KKSH-së Nevzad Lutfiut pritet të ftohet së shpejti. Lutfiu këtë ia ka konfirmuar sot LajmiAL.

Nëse subjektet politike shqiptare në komunën e Bujanocit do të arrijnë një marrëveshje parazgjedhore për unifikim, kjo mbetet të shihet edhe pse në këtë drejtim shumë pak ka optimizëm, sidomos nëse pala serbe nuk del me një listë të përbashkët!

Pas takimit të fundit nikoqiri i këtij takimi, Nevzad Lutfiu, kishte thënë se, “lajm i mirë është se të gjithë u deklaruan pro arritjes së një marrveshje parazgjedhore ose paszgjedhore për shumicën shqiptare në mandatin e ri, dhe janë të gatshëm që në takimet e radhës t’i diskutojmë parimet dhe kriteret e kësaj marrëveshje” kishte thënë ndër të tjerash Lutfiu.

Sipas tij, iniciativa e KKSH-së nuk ka të bëjë me anashkalimin ose përjashtimin e ndonjë komuniteti tjetër, por me respektimin e vetvetës si komuniteti më i madh në Komunën e Bujanocit.

Vlen të theksohet se, vetëm një ditë pas mbajtjes së tëkimit të liderëve politik shqiptarë të komunës së Bujanocit në selinë e KKSH-së, skenës politike iu është shtuar edhe një nismë e re qytetare “Lëvizja për Bujanocin” e udhëhequr nga Driton Rexhepi. Nëse Rexhepi do të të jetë pjesë e takimit të radhës dhe a do ta përqafojë listën e unifikimit, kjo mbetet të shihet, por që kjo nismë e ka lëkundur skenën politike shqiptare në Bujanoc dhe ka prishur kalkulimet politike, kjo nuk do koment.

Në zgjedhjet e fundit lokale të 2020 subjektet politike shqiptare arritën marrëveshjen për bashkëqeverisje me pushtetin lokal, edhe pse, pas më pak se një viti nga ky koalicion u largua APN duke u radhitur si opozita e vetme shqiptare në Kuvendin Komunal të Bujanocit./LajmiAL/