Librat e KKSH-së në shkollat e Bujanocit: përdorim i pjesshëm, probleme të shumta

0
363

Mungesa e librave për nxënësit shqiptarë të shkollave fillore edhe për ato të mesme në Luginë të Preshevës është shumë i madhë. Nëse pyeten drejtorët e shkollave, nxënësit e shkollave fillore i kanë marrë të gjitha tekstet shkollore të cilat nëpërmjet Këshillit Kombëtarë Shqiptarë i ka paguar Qeveria e Kosovës. Ndërsa nxënësit vazhdojnë edhe më tej të marrin shënime në disa lëndë si, biologji, fizikë, kimi, gjeografi dhe Histori. LajmiAL ka kontaktuar disa drejtorë të shkollave fillore në komunën e Bujanocit, por veçmas edhe disa mësimdhënës.

Prej disa vitesh, Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH) me ndihëm financiare të Qeverisë së Kosovës shpërndan libra shkollorë në gjuhën shqipe për nxënësit e komunave të Luginës së Preshevës. Kjo nismë ka synuar të sigurojë kushte më të mira për mësimin në gjuhën amtare, të lehtësojë barrën financiare të familjeve dhe të forcojë identitetin kombëtar në shkolla.

Por, pavarësisht rëndësisë së saj, përdorimi i këtyre librave në praktikë nuk është i njëtrajtshëm. Hulumtimi i bërë nga LajmiAL në disa shkolla të Bujanocit tregonë se librat përdoren vetëm pjesërisht, në varësi të lëndëve dhe vetë qasjes së shkollave.

“Nami Frashëri”: përdorim deri në 60%

Një nga shembujt është shkolla fillore “Nami Frashëri” në Bujanoc. Sipas pedagogut Besim Sadiku, në këtë shkollë librat e shpërndarë nga KKSH përdoren rreth 50-60%. Kjo tregon se, edhe pse nuk ka një përputhje të plotë me plan-programin zyrtar, mësuesit gjejnë mënyra për t’i integruar këto libra në mësimdhënie. Për shumë lëndë shoqërore, tekstet shërbejnë si literaturë bazë ose ndihmëse, duke ndihmuar nxënësit të kenë qasje në materiale në gjuhën amtare. Megjithatë edhe në këtë shkollë ka libra të cilat nuk mund të përdoren për shkak të mospërputhjes së plan-programit, me këtë rast nxënësit duhet të marrin shënime, ose i kanë siguruar librat nga gjeneratat e mëparshme

Në shkollën fillore “Desanka Maksimoviq” në Bilaç dhe paralelen e ndarë në Samolicë: tekstet e lëndëve shkencore mbeten jasht papërdorimit

Krejt ndryshe paraqitet situata në shkollën fillore “Desanka Maksimoviq” në Bilaç dhe në paralelen e ndarë në Samolicë, ku ndjekin mësimet gjithsej 221 nxënës. Sipas drejtorit të këtij institucioni arsimore Selver Nuhiut, në këto shkolla, përdorimi i librave të KKSH-së është minimal. Problem më i madh haset te lëndët shkencore – gjeografia, kimia, fizika, historia dhe biologjia. Këto tekste, sipas mësuesve, nuk përputhen me plan-programin e aprovuar nga Ministria e Arsimit e Serbisë dhe, për këtë arsye, nuk i plotësojnë kushtet për përdorim në klasë, është shprehur Nuhiu.

Mësuesit janë të detyruar t’i shmangin këto libra dhe të përdorin tekstet tjera që janë me përputhshmërin e planprogramit, ndërsa nxënësit që nuk i kanë ato tekstë janë të detyruar të marrin shënime, duke kufizuar rolin e librave të KKSH-së vetëm si materiale shtesë. Ky realitet krijon një kontrast të fortë: ndërsa në një shkollë librat arrijnë të mbulojnë gjysmën e mësimdhënies, në një tjetër mbeten pothuajse të papërdorshëm.

Nga ana tjetër në shkollën fillore “Sami Frashëri” në Lluçan dhe paralelet e ndara në Konçul dhe Dobrosin përdorimi i teksteve të shpërndara nga KKSH është tejet i lartë. Sipas drejtorit Qemal Beqirit, rreth 80% e teksteve të KKSH-së janë në përdorim nga mësimdhënësit dhe mësimdhënësit kanë arritur që ti përshtatin me planprogramin e paraparë.

Librat dhe plan-programi: dy botë të ndryshme

Problemi kryesor duket të jetë mospërputhja mes teksteve dhe plan-programit shtetëror. Shpesh, librat e ardhur nga Shqipëria apo Kosova janë hartuar sipas kurrikulave të atjeshme dhe nuk përshtaten plotësisht me kërkesat që mësuesit në Luginë janë të detyruar të ndjekin.

Nga ana tjetër, në disa shkolla, mësuesit tregojnë gatishmëri për t’i përshtatur materialet, duke përdorur pjesë të librave si burime alternative. Në të tjera, mungesa e fleksibilitetit apo edhe ndoshta frika nga mosrespektimi i kurrikulës zyrtare çojnë në mosshfrytëzimin e tyre.

Pyetje që kërkojnë përgjigje

  • Pse një pjesë e mësuesve arrin t’i përdorë librat deri në 80%, ndërsa të tjerët i shmangin thuajse krejtësisht?
  • A është problemi vetëm te mospërputhja e plan-programeve, apo edhe te qasja dhe vullneti i vetë stafit pedagogjik?
  • Çfarë mund të bëjë KKSH për të siguruar që librat e shpërndarë të jenë më të përdorshëm: të përshtasë tekstet me kurrikulën shtetërore, apo të ndërtojë një strategji shtesë që i bën ato funksionale në praktikë?

Rasti i shkollave në Bujanoc nxjerr në pah një të vërtetë të hidhur: edhe kur librat shpërndahen falas dhe me qëllime të mira, kjo nuk garanton domosdoshmërisht përdorimin e tyre. Diferencat nga një shkollë në tjetrën tregojnë se mungon një strategji e qartë për implementimin e këtyre teksteve.

Megjithatë ka edhe mësimdhënës që mendojnë ndryshe. Më poshtë e keni një deklaratë të një mësimdhënësi nga një shkollë shqipe e komunës së Bujanocit i cili për shkaqe personale e ka parë të udhës që të mbetet anonim, por i njohur për redaksinë:

“Ky është një paradox, nxënësit i marrin librat por nuk mund ti përdorin ato, kështu që detyrohen të marrin shënime, ngase librat e shpërndarë nga KKSH nuk janë në harmoni me planprogramin shkollorë dhe nuk mund ti përdorin ato. Për kë paguan qeveria e Kosovës, a keqëpërdoren këto mjete nga KKSH ndoshta për pasurimin e shtëpisë botuese “Albas” apo ndonjë përfituesi tjetër anësor, janë pyetje që dikush duhet të përgjigjet?

Angazhimi i inspektorëve  të  arsimit në nivel komunal do të ishte i dëshirueshëm apo ndoshta edhe janë të njoftuar e bëhen sikur që spo ndodh asgjë.

Sipas disa profesorëve librat për lendët e cekura janë të PA-përdorshëm, nuk kanë as 10%  përmbajtje që parashihet me buletinin arsimor edhe pse shumica prej tyre nuk guxojnë ti thonë ato.  

Pse janë përzgjedhë këto tekste shkollore është pyetje për përbërjen e kaluar të KKSH-së, megjithatë sikurse atëherë edhe tash fotot kanë VLUAR në rrjetet sociale duke shpërndarë tekste të PA-përdorshme. të cilët ose nga mos dija ose shtëpia botuese ia ka imponuar duke i joshur ata të cilët janë përcaktuar për keto libra. Është faktë i njohur se Ministria e Arsimit në Beograd ka lejuar përdorimin e tyre.

Shumë e thjeshtë, po të krahasohet një libër i lëndëve të përmendura të shtëpisë botuese “Kllet” me ndonjërën të këtyre të “Albasit” atëher vërtet është mëkat prej çfarë librave mësojn fëmijët shqiptar nëse eventualisht përdoren në ndonjë shkollë.

Ky fakt mund të vërtetohet shume lehtë nga inspektorët e arsimit po të shohin çka kanë shënuar në ditar arsimtarët e lndëve përkatëse cilat botime i përdorin.

Deri kur do të vazhdoj këshu, vështirë të dihet. Dihet vetëmse nxënësit marrin librat por jo të duhurat, pra të PA-përdorshme. Nxënësit janë viktimë,  dikush përfitues në korriz të tyre, ndërsa PËRGJEGJËS askush” është shprehur mësimdhënësi për LajmiAL.

Në një nga postimet e tijë kryetari i KKSH-së Enkel Rexhepi ka potencuar se:

“Shpërndarjen e teksteve mësimore në gjuhën shqipe falas për nxënësit shqiptarë të Luginës e vazhduam sot edhe në shkollat fillore të fshatrave Tërnoc i Madh, Bilaç, Raincë dhe Corroticë, së bashku me bashkëpunëtorët e Këshillit Kombëtar Shqiptar.

✨Falë financimit nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ky është viti i katërt që nxënësit shqiptarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do t’i kenë librat shkollorë falas, duke u lehtësuar kështu barrën ekonomike familjeve shqiptare”, ka shkruar Rexhepi.

Si është e mundur që në kushte të njëjta plan-programi, disa shkolla të arrijnë t’i shfrytëzojnë librat në masë të madhe, ndërsa të tjera ndoshta pa dashje t’i lënë të pluhurosen në rafte? Kjo mbetet pyetja kryesore që kërkon një përgjigje nga të gjitha institucionet përkatëse./LajmiAL/