Postimi i ministres Meliza Haradinaj-Stublla:
Jam e lumtur të njoftoj që është mundësuar për të gjithë shqiptarët nga Lugina e Preshevës të cilët jetojnë në Konfederatën Zvicerane, që të udhëtojnë drejt Republikës së Kosovës duke përdorur Letërnjoftimin (ID) ose Leje-qëndrimin e vlefshëm biometrik të lëshuar nga shtetet anëtare të BE-së apo shtetet anëtare të Zonës Schengen, ku përfshihet edhe Konfederata Zvicerane.
Posedimi i këtyre dokumenteve, do të mjaftojë për të kaluar transit apo për të qëndruar deri në 90 ditë në territorin e Republikës së Kosovës.
Vështirësi të tilla për udhëtim nuk do të paraqiten më as nga aeroporti i Cyrihut apo aeroporte të tjera në Konfederatën e Zvicrës.
Në mungesë të letërnjoftimeve të lëshuara nga autoritetet e Serbisë dhe për shkak të fshirjes së adresave të tyre nga autoritetet serbe, deri më sot shqiptarët e Luginës së Preshevës të cilët jetojnë në Konfederatën Zvicerane, janë privuar të udhëtojnë drejt Luginës përmes Republikës së Kosovës.
Në vijim të deklaratës së përbashkët me Ministrinë për Evropë dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, mbi problematikën e pasivizimt të adresave të shqiptarëve në Luginë, ri-përsëris nevojën për reagimin e menjëhershëm për shkeljet e të drejtave themelore të shqiptarëve në Luginën e Preshevës nga autoritetet e Serbisë.
Kjo praktikë shtetërore që po zbatohet në mënyrë arbitrare dhe të qëllimshme përbën një formë të re të shtypjes së ushtruar ndaj shqiptarëve atje. Institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të mbesin më në heshtje, dhe qëndrojmë pranë bashkëkombësve tanë atje.












