Kardiologu prof. Dr. Dragan Simiq prezantoi të dhëna shqetësuese -çdo vit më shumë se 50 mijë njerëz humbin jetën për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare.
Siç thotë doktor Simiq, çdo ditë vdesin 13 persona si pasojë e atakut kardiak.
“Ka shumë pacientë edhe nga popullata e re. Ne këtu i konsiderojmë personat nën moshën 40 vjeçare dhe e gjithë kjo tregon se përkundër edukimit të madh, aktiviteteve dhe kontrollave tona, në njëfarë mënyre nuk arrijmë t’i lëvizim ato shifra” tha Dr. Simiq.
Siç thotë ai, kjo ndodh sepse të rinjtë ende nuk jetojnë siç duhet. Ai shton se shumë njerëz pinë duhan, hanë në mënyrë joadekuate dhe nuk kanë aktivitet fizik adekuat.
“Përveç stresit në punë dhe shumë problemeve, njerëzit nuk jetojnë ashtu siç duhet dhe e gjithë kjo na çon në një rrugë pa krye. Në një problem të mundshëm. Dhe kjo është arsyeja pse parandalimi parësor është i rëndësishëm, prandaj është e rëndësishme të kujdeseni për shëndetin tuaj tashmë në të tridhjetat” tha Dr. Simiq.
Ai shton se tashmë është një periudhë kur njeriu duhet të interesohet për nivelin e sheqerit, tensionin e gjakut etj.
“Në veçanti duhet theksuar se duhet të kenë kujdes personat që kanë predispozicion gjenetik ndaj sëmundjeve kardiovaskulare. Faktori trashëgues tregon shumë dhe ajo popullatë është jashtëzakonisht e rrezikuar” tha Dr. Simiq në një paraqitje të ftuar në Pink TV.
Siç thotë ai, gjithnjë e më shumë ndodh që të bëhen stentime tek personat që janë brezi i viteve 80.
“Në repart kemi më shumë persona me të dyzetat” thekson Dr. Simiq.
Ai thotë se ne jemi fajtorë sepse jemi shumë të relaksuar dhe mendojmë se shëndeti do të na shërbejë përgjithmonë.












