Bujanoc: Aprovohet buxheti për vitin 2021, kërkesa e APN-së nuk e mer pëlqimin e partnerëve të koalicionit

0
462

Florim Agaj këshilltar nga radhët e APN-së në KK të Bujanocit gjatë diskutimit të tij rreth buxhetit për vitin 2021 propozoi krijimin e një pozicioni të ri në kuadër të buxhetit për vitin2021 që ka për qëllim krijimin e pakos emergjente “Bujanoci 2021” në shumë prej 80.000.000 dinarë.
Sipas APN-së këto mjete parashihen të mirren nga pozicionet e infrastrukturës rrugore.
Nga ana tjetër shefi i grupit të këshilltarëve të PVD-së Ermal Rexhepi potencoi se gjatë përpilimit të buxhetit APN nuk kishte paraqitur një kërkesë të tillë dhe se propozimi që sot e dha këshilltari nga radhët e APN-së na kthen në pikën zero.

Rexhepi tha se ky buxhet siç është propozuar është buxhet i pranueshëm pa harruar që qytetarët tanë kanë nevojë edhe për shumë më shumë se ky buxhet. Ai tha se PVD do ta votojë buxhetin siç e ka paraqitur propozuesi.
Buxheti i propozuar nga kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi për vitin 2021 është 1.298.000.000 dinarë.
Arifi tha se edhe përkundër takimeve që kemi patur me partnerët e koalicionit për përpilimin e buxhetit asnjëherë nuk kam ndëgjuar një propozim të tillë, andaj nuk jemi këtu për të bërë politike sepse zgjedhjet janë edhe 4 vite.
Propozimi i APN nuk kaloi sepse përveç 3 votave të APN-së pro, nuk pati asnje votë kundër as të përmbajtur.
Ndryshe buxheti i komunës së Bujanocit për vitin 2021 është votuar nga këshilltarët e KK me 23 për dhe 3 të përmbajtur./Lajmi-AL/