Një lajm i shumëpritur për Breznicën dhe fshatrat e Malësisë së Bujanocit si dhe të gjithë që e frekuentojnë rrugën që lidh komunën e Bujanocit me komunën e Kamenicës përmes Breznicës.
Pas bisedave dhe marrëveshjes në muajin prill mes kryetarit të komunës së Bujanocit Nagip Arifi dhe kryetarit të Kamenicës Qëndron Kastrati që një pjesë të punës ta financoj Komuna e Bujanocit dhe një pjesë komuna e Kamenicës tani do të fillojë ndërtimi i urës së dëmtuar prej vitesh, që lidh fshatin Breznicë me Karaçevë, por edhe gjithë pjesën e malësisë me pjesën tjetër të komunës së Bujanocit.
Lajmin e ka bërë të ditur këshilltari nga Breznica Nazmi Duraku i cili ka theksuar se, “si këshilltari i vetëm nga malësia në Kuvendin Komunal të Bujanocit, shpreh mirënjohjen time për punën dhe angazhimin e kryetarit Nagip Arifi, por edhe të Kamenicës Qëndron Kastrati, që kërkesën e banorëve tanë ta fusin në mesin e prioriteteve” ka shkruar Duraku.
Këshilltari i KK të Bujanocit në rrjetin social ka shkruar se:
Tashmë, një vit pas qeverisjes së re komunale në Bujanoc, përveç këtij projekti, përfunduam rrugën Muhoc – Zarbincë, rregulluam trafon elektrike në Bilinicë, para disa ditëve filluam kanalizimin në lagjen e Shemovitëve me gjatësi prej 480 metrave, ku pas saj do pasojë edhe asfaltimi.
Sigurisht, që nuk do të ndalemi me kaq, ngase malësia ka ende nevojë për investime, por me një bashkëpunim të ngushtë dhe sinqert me organet komunale do të realizojmë edhe projekte tjera me rëndësi jetësore.
Edhe një herë, urime fillimi i punimeve. Shpresoj që projekti të përfundojë sa më parë dhe të kemi qarkullim të lirë të lëvizjes. Falemnderit kryetar Arifi dhe Kastrati!, ka shkruar Duraku. /Lajmi-AL/












