Komunikata e plotë e PVD-së
Sulmi ndaj partnerëve të koalicionit nuk i kontribuon funksionimit të koalicionit gjithë shqiptar, kabineti i kryetarit të komunës me rol destruktiv në ruajtjen e stabilitetit politik
Edhe pas 13 muajve qeverisje, kabineti i kryetarit të komunës së Bujanocit po vazhdon me sulmet e njëpasnjëshme ndaj partnerëve shqiptar të koalicionit.
Kësaj radhe, dy ditëve të fundit, Kabineti, përmes prononcimeve publike, hedh fajin mbi partnerët e koalicionit për shkak të numrit të vogël të përfshierjes së serbëve në programin e praktikës profesionale si edhe për “lënien pas dore” të projekteve në lagjet rome.
Në fakt, realizimi i programeve të vitit 2019 vjen si pasojë e dështimit të të gjitha prokurimeve të vitit 2021, fakt të cilin kabineti i kryetarit po mundohet ta fsheh.
Sa i përket listës së praktikantëve e cila, pavarësishtë se ishte dakorduar në tërësi me kryetarin e komunës dhe kabinetin e tij, me hedhjen e akuzave ndaj partnerëve të koalicionit, kabineti po mundohet t’i shmanget përgjegjësisë për veprimet e ndërmarra për të ruajtur raportet me SNS dhe t’i shmanget kritikave të funksionerëve shtetërorë serb.
Qasja e këtillë akuzuese ndaj partnerëve paraqet një vardisje ndaj SNS-it me të cilën po vazhdojnë kontaktet për riformulimin e koalicionit aktual në Bujanoc.
Pavarsisht deklarimeve tendencioze nga kabineti i kryetarit, provokimeve të ulta të partnerëve të koalicionit dhe tendencës për ta patur SNS-in afër vetes, PVD do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar në funksionimin normal të koalicionit gjithë shqiptarë në Bujanoc si një produkt i Marrëveshjes së arritur në Tiranë.
Por kjo nuk do të thotë që PVD do të mbetet imune ndaj kritikave dhe shpifjeve që, herë pas here, po adresohen ndaj saj nga kreu i Komunës.
Për ne është e qartë se këto kritika vijnë edhe si pasojë e faktit të dështimeve të shumta që po ndodhin për t’i siguruar qytetarëve “ditë më të mira”.
Përveç që është koha të fillohet me realizimin e premtimeve ndaj qytetarëve është poashtu koha të realizohen edhe të gjitha obligimet nga Marrëveshja e Tiranës.
Ju jeni të lirë në vendimmarrje, por, sa i përket PVD-së, SNS-i nuk kalon.
Bujanoc, 6 gusht, 2021
Partia për Veprim Demokratik
Shërbimi për informim












