Për më pak se një javë, nga dita kur Qeveria e Kosovës kishte aprovuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 200.000 eurove, është realizuar transferi i këtyre mjeteve në buxhetin e komunës së Bujanocit.
Gjatë ditës së sotme mjetet në shumë prej 200.000 eurove ndihmë financiare nga Qeveria e Republikës së Kosovës për sanimin dëmeve infrastrukturore, duke filluar nga Malësia e Bujanocit e këndej, kanë kaluar në llogarinë e Komunës së Bujanocit.
Lajmin e ka bërë të ditur Kryetari i Komunës së Bujanocit Nagip Arifi përmes rrjetit social ku ka falënderuar Qeverinë e Republikës së Kosovës për mjetet e ndara për Komunën e Bujanocit.
Postimi i plotë:
FALEMNDERIT KOSOVË
Sot, realizuam edhe një transfer financiar me vlerë prej 200.000 € nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Ky transfer u realizua duke u bazuar në kërkesën tonë drejtuar kryeministrit Hoti për sanimin e dëmeve nga vërshimet e fundit që përfshinë komunën tonë.
Mjetet e marra do të shfrytëzohen për sanimin dëmeve infrastrukturore, duke filluar nga Malësia e Bujanocit e këndej.
Shfrytëzoj rastin të falemnderoj Qeverinë e Republikës së Kosovës, kryeministrin në detyrë, deputetin e Parlamentit të Kosovës Faton Bislimin për insistimin e tij të vazhdueshëm, si dhe një falemnderim të posaçëm për drejtorin e Thesarit të Kosovës Ahmet Ismajli për angazhimin e tij të pakursyer që mjetet të transferohen sa më shpejt, ka shkruar Kryetari Arifi./Lajmi-AL/
















