Nga sot fillon aplikimi për statusin e prindit-kujdestar

0
149

Nga e enjtja, 1 tetor, ka filluar zbatimi i Ligjit për prindërit-kujdestarë, i cili parashikon një kompensim financiar prej 65.000 dinarësh në muaj.

Sipas njoftimeve zyrtare, kjo shumë pritet të rritet, ndërsa nga 1 marsi i vitit të ardhshëm do të harmonizohet me normën nominale të rritjes së pagës mesatare.

Sipas Ministrisë së Punës, Punësimit dhe Çështjeve të Veteranëve dhe Sociale, duke filluar nga 1 tetori, prindërit mund të paraqesin kërkesë për përfitimin e statusit të prindit-kujdestar.

Kërkesa mund të dorëzohet:

  • në mënyrë elektronike, ose
  • drejtpërdrejt pranë qendrave kompetente për punë sociale.

Procedura e aplikimit është thjeshtuar në masën maksimale, me qëllim që barra administrative për familjet të jetë sa më e vogël. Synimi është që procesi i aplikimit dhe i realizimit të kësaj të drejte të jetë sa më i thjeshtë, i shpejtë dhe i aksesueshëm për prindërit.

Masa synon të ofrojë mbështetje financiare për prindërit që kujdesen për fëmijët e tyre me nevoja të veçanta dhe që, për shkak të angazhimit të vazhdueshëm në kujdes, përballen me vështirësi në përfshirjen në tregun e punës.