Migrimi i të rinjve shqiptarë nga Lugina e Preshevës është bërë pasqyra më e dhimbshme e një realiteti që po na shteron nga brenda.
Me ëndrrën për një jetë më të mirë, mijëra të rinj kanë marrë rrugët e Evropës, duke shpresuar se atje do të gjejnë dinjitetin, sigurinë dhe mundësitë që nuk i panë në vendlindje.
Realiteti, megjithatë, shpesh nuk është ai që kishin imagjinuar. Jeta në mërgim është e vështirë, e ftohtë dhe plot sakrifica.
Por, përkundër gjithçkaje, ajo mbetet në shumë raste më e mirë se ajo që kishin këtu.
Ky largim masiv ka mbyllur shtëpi të tëra dhe ka lënë pas prindër të vetmuar, pa përkujdesje e pa zë. Dhimbja shpirtërore që u shkaktohet çdo ditë është e paimagjinueshme.
Shpesh dëgjojmë nga të moshuarit fjalë që të thyejnë zemrën: “Vetmia po na mbyt në heshtje dhe para kohe, kurrë nuk e kishim imagjinuar se ky do të ishte fati ynë.”
Të lodhur nga pleqëria dhe të mbytur nga vetmia, ata presin çdo ditë pranë dritares një rreze sysh që t’i gëzojë—por gurbeti ua kthen këtë pritje në mall që shkatërron dalëngadalë.
Migrimi nuk ka goditur vetëm familjen; ai ka lënë pasoja të thella edhe në zhvillimin shoqëror e ekonomik.
Pa rini nuk ka zhvillim ekonomik, as bujqësi funksionale, as jetë publike. Shkurt: asgjë nuk ecën përpara.
Dhe pyetja shtrohet natyrshëm—si arritëm deri këtu?
Shkaqet janë të shumta: nga faktorët politikë dhe institucionalë, te gjendja e përgjithshme ekonomike e sociale, e deri te përgjegjësitë e vetë faktorëve politikë lokalë.
Sa herë që kërkojmë fajtorë, gishtin e drejtojmë te institucionet shtetërore serbe—gjë që është e kuptueshme, sepse prej andej kanë ardhur shumë politika që kanë dëmtuar shqiptarët. Por a është faktori politik lokal i pafajshëm? A meriton ai dekorata?
Korrupsioni, punësimet sipas linjave partiake e familjare, mosinteresimi për zgjidhje reale të problemeve, përçarjet e thella dhe përparësia e interesave personale e grupore mbi të mirën e përbashkët—këto janë plagë të hapura.
Në vend të bashkëpunimit, shpesh shohim nënçmim e nënvlerësim të ndërsjellë. Patriotizmi është konsumuar deri në shterpësi; fjalë të mëdha pa vepra konkrete.
Më e rënda është harresa. Është harruar se liria nuk erdhi rastësisht, por u pagua shtrenjtë nga UÇPMB, nga dëshmorët dhe invalidët e saj—të cilët nuk i përkasin asnjë subjekti politik dhe nuk mund të etiketohen sipas interesave të politikës ditore.
Pas kësaj lufte qëndron rinia—pikërisht ajo rini që sot po ikën, faktori më i rëndësishëm që mund ta shpëtojë Luginën.
Ata që sot e konsiderojnë vetën si “shpëtimtarë” duhet ta shohin të vërtetën në sy: Lugina po zbrazet, shpresat po zbehen dhe gjithçka po shuhet dalëngadalë.
E megjithatë, shpresa nuk ka vdekur ende. Ajo jeton te çdo i ri që ende beson, te çdo prind që pret pranë dritares, dhe te çdo zë që guxon ta thotë të vërtetën. Sepse, në fund, shpresa vdes e fundit—por vetëm nëse ne nuk e tradhtojmë atë.












