Takimi i ministrit Berisha me këshillat kombëtare, shqiptarët bojkotojnë sërish

0
89

Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave Kombëtare dhe Dialogun Shoqëror, Demo Berisha, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e këshillave kombëtare të pakicave kombëtare, ku një nga temat kryesore ishte rëndësia e ekspozitës së specializuar EXPO 2027, njofton ministria përkatëse.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e EXPO-s prezantuan projektin që cilësohet si strategjik për vendin, duke theksuar mundësitë që kjo ngjarje ndërkombëtare ofron për promovimin e komuniteteve pakicë, kulturës, traditës dhe krijimtarisë së tyre para një audience globale.

Sipas njoftimit zyrtar, përfaqësuesit e këshillave kombëtare informuan ministrin se në kuadër të Koordinimit të Këshillave Kombëtare të Pakicave Kombëtare është miratuar propozimi që kultura të mbetet fusha prioritare e financimit nga Fondi Buxhetor për vitin 2026 për programet dhe projektet e komuniteteve pakicë, ashtu si edhe vitin e kaluar.

“Kultura është themeli i ruajtjes së gjuhës, traditës dhe identitetit të përgjithshëm të pakicave kombëtare. Investimet në programe dhe projekte kulturore rrisin dukshmërinë e komuniteteve pakicë, forcojnë pjesëmarrjen e tyre në jetën shoqërore dhe sigurojnë përcjelljen e vlerave te gjeneratat e reja, çka është me rëndësi afatgjatë për ruajtjen e multietnicitetit të Republikës së Serbisë”, ka deklaruar ministri Berisha, duke shtuar se ministria do të vazhdojë mbështetjen e vazhdueshme për komunitetet pakicë.

Në takim është diskutuar gjithashtu edhe për zgjedhjet e ardhshme për këshillat kombëtare të pakicave kombëtare, të cilat, në përputhje me ligjin, pritet të mbahen gjatë vjeshtës.

Megjithatë, përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptar edhe në këtë takim nuk kanë marrë pjesë, pavarësisht ftesës së dërguar. KKSH vazhdon të mbajë qëndrimin e tij për të mos marrë pjesë në takimet me ministrin Demo Berisha, duke thelluar kështu distancën institucionale mes palëve. Sipas kësaj ministrie ftesa mbetet e hapur për bashkëpunim me KKSH-në.