Rinia po ikën – Lugina po boshatiset

0
540

Çdo ditë e më shumë, rrugët e Luginës së Preshevës po mbeten më të heshtura. Ajo që dikur njihej për zërin, energjinë dhe gjallërinë e të rinjve, sot po përballet me një realitet të dhimbshëm: migrimin masiv të rinisë drejt vendeve të huaja.

Arsyet janë të shumta, por në thelb të gjithave qëndron pasiguria ekonomike. Mungesa e mundësive reale për punësim, pagat e ulëta dhe trajtimi jo i denjë në vendin e punës kanë bërë që shumë të rinj të mos e shohin të ardhmen e tyre në vendlindje. Ata zgjedhin të largohen – jo nga dëshira, por nga nevoja.

Në shumë kompani private, sipas hulumtimeve të ndryshme, punëtorëve nuk u paguhen kontributet qw tw kenw tw siguruar pensionin tw paktwn. Kjo do të thotë se, edhe pas vite të tëra pune, ata nuk kanë asnjë ditë të regjistruar përvojë zyrtare, as pension, as siguri për të nesërmen. Kështu, puna që duhet të ndërtojë jetë, po bëhet shkak për zhgënjim dhe humbje të shpresës.

Ndërkohë, mungesa e politikave të qëndrueshme për mbështetjen e rinisë, mosfunksionimi i institucioneve dhe mungesa e investimeve serioze në zhvillimin lokal vetëm sa e thellojnë krizën. Rinia, që duhet të jetë forca lëvizëse e shoqërisë, po detyrohet të kërkojë vlera dhe dinjitet jashtë kufijve.

Nëse nuk ndërmerren masa urgjente për të krijuar kushte të sigurta pune dhe jetese, Lugina e Preshevës rrezikon të mbetet pa rini, pa energji dhe pa të ardhme. Sepse një vend pa të rinj është një vend pa frymë.

Është koha të ndalet kjo ikje masive – jo me fjalë, por me veprime konkrete: rritje të pagave nw sektorin privat, respektim të ligjeve të punës, stimulim të bizneseve që ofrojnë punësim të drejtë dhe investime në zhvillimin e qëndrueshëm të rinisë. Vetëm kështu mund të ringjallet shpresa dhe të kthehet besimi se edhe këtu mund të ndërtohet një e ardhme më e mirë.

Kjo atmosferë nuk është krijuar dje. Ajo është ndërtuar për vite të tëra, gur mbi gur, me neglizhencë, me mungesë vizioni dhe me heshtje të qëllimshme. Sot, vetëm po i shohim pasojat më qartë. Heshtja dhe migrimi po bëhen pjesë e përditshme e jetës sonë – çdo ditë e më shumë po dominojnë, duke e boshatisur Luginën nga rinia dhe shpresa.

Nuk është fajtor vetëm pushteti aktual. Fajtorë janë të gjithë – pa përjashtim. Të gjithë ata që për vite kanë parë dhe kanë heshtur, që kanë premtuar dhe nuk kanë vepruar. E sidomos pushteti qendror, i cili e ka trajtuar këtë rajon si një rezervë politike, jo si pjesë të barabartë të zhvillimit. Kujtohet për Luginën vetëm kur i duhet të krijojë tension e situatë, por kurrë kur bëhet fjalë për zhvillim, investime apo dinjitet për qytetarin./LajmiAL/