Renia e rejtingut të politikanëve shqiptarë në Luginë: Premtime të zbrazëta dhe realitet i hidhur

0
214

Në Luginë të Preshevës, reputacioni i politikanëve shqiptarë po bie me ritme të shpejta. Kjo nuk është rastësi, por rezultat i një politike të konsumuar, e cila gjithnjë e më shumë shihet si shfaqje formale sesa angazhim real për të mbrojtur interesat e qytetarëve. Shumica e postimeve të tyre në rrjetet sociale janë sipërfaqësore, të bëra shkel e shko – foto takimesh, fjali të shkurtra dhe retorikë boshe – vetëm për të treguar se “janë aty”, ndërkohë që problemet reale të shqiptarëve mbeten pa zgjidhje.

Pasivizimi i adresave – një plagë që po shuan identitetin

Një nga plagët më të mëdha me të cilat përballen shqiptarët në Luginë është pasivizimi i adresave. Me këtë praktikë administrative, mijëra shqiptarë rrezikojnë të humbasin dokumentet, të drejtën e votës dhe madje edhe ekzistencën ligjore në vendin e tyre. Politikanët lokalë dhe ata që pretendojnë të jenë “zëri i shqiptarëve” shpesh e përmendin këtë çështje, por përtej deklaratave publike nuk shohim hapa konkretë, as lobim serioz ndërkombëtar, as presion institucional që mund të sjellë ndryshim, thjesht pastime dhe vetëm pastime.

Migrimi i rinisë – zbrazja e Luginës

Në mungesë të perspektivës, rinia shqiptare prej vitesh ka marrë rrugën e migrimit. Gjermania dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian janë bërë destinacioni i parë për mijëra të rinj që nuk shohin të ardhme në vendlindjen e tyre. Ky trend jo vetëm që ka dobësuar strukturën sociale dhe ekonomike të Luginës, por ka sjellë edhe një ndjenjë të fortë braktisjeje. Politikanët, në vend që të krijojnë kushte për zhvillim, punësim dhe arsim cilësor, mjaftohen me deklarata dhe postime në Facebook apo Instagram, sikur të jetonte populli me “like” e “share”. Kohëve të fundit i kanë rralluar edhe ato se po mnedojnë që po HARXHOHEN para kohe, duke i ruajtuar për fushatë zgjedhore.

Shpresa në vend të realitetit

Qytetarët shqiptarë në Luginë nuk kërkojnë mrekulli. Ata duan vetëm një politikë serioze, përfaqësim dinjitoz dhe përkushtim real për të mbrojtur të drejtat e tyre. Rejtingu i politikanëve bie sepse qytetarët e kuptojnë lojën e tyre: shumë fjalë, pak vepra. Çdo ditë që kalon, mosbesimi rritet dhe hendeku midis popullit dhe elitës politike thellohet.

Nëse politika shqiptare në Luginë nuk e ndryshon kursin, nëse vazhdon të reduktohet në “postime” në rrjete sociale, atëherë rrënimi i saj është i pashmangshëm. Shqiptarët kanë nevojë për liderë që dinë të luftojnë për të drejtat e tyre, jo për “influencerë” politikë që mbajnë gjallë vetëm profilin e tyre publik./LajmiAL/