Nga 1 tetori i këtij viti paga minimale 500, nga 1 janari i 2026-tës 550 euro

0
410

Bisedimet për rritjen e pagës minimale në Serbi për vitin e ardhshëm do të nisin në fund të gushtit ose në fillim të shtatorit, njoftoi sot ministri i Financave i Serbisë, Sinisha Malli.

“Me këtë rritje, paga minimale nga 1 janari 2026 do të arrijë në 550 euro,” tha Malli për gazetarët pas mbledhjes së Këshillit Social-Ekonomik, ku u vendos që paga minimale nga 1 tetori i këtij viti të rritet në mënyrë të jashtëzakonshme me 9,4%, nga 53.592 në 58.630 dinarë, pra nga 450 në 500 euro.

Çmimi i një ore pune do të rritet nga 308 në 337 dinarë.

Malli theksoi se synimi i Qeverisë së Serbisë është që paga minimale, nga 1 janari 2028, të arrijë në 650 euro.

“Me rritjen e jashtëzakonshme të këtij viti dhe rritjen e rregullt që parashikohet për 1 janar të vitit të ardhshëm, rritja kumulative do të jetë 20,4% dhe po aq do të rritet edhe pjesa e të ardhurave që nuk tatohet, nga 28.423 në 34.322 dinarë,” shtoi ai.

Ai shtoi gjithashtu se ngarkesa tatimore mbi pagat do të ulet në 59,7%, ndërsa për pagat minimale në 55,6%.

Kryetarja e Këshillit Social-Ekonomik dhe ministrja e Punës, Milica Gjurđeviq, deklaroi se vendimi për rritjen e jashtëzakonshme të çmimit të punës është rezultat i dialogut social në Serbi dhe është marrë në mënyrë unanime.

Ajo shtoi se aktualisht rreth 90.000 punëtorë në Serbi marrin pagë minimale.