Qeveria e Kosovës ndanë 580,000 € për ndërtimin e Shkollës së Muzikës dhe Muzeut të Preshevës

0
125

Këshilltari politik i Zëvendëskryeministrit të parë në detyrë i R.Kosovës Ragmi Mustafi, përmes rrjetit social ka njoftuar se Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të 264-të, miratoi sot mbështetjen financiare prej 580,000 € për ndërtimin e Shkollës së Muzikës dhe Muzeut të Preshevës – një projekt që i jep emër, adresë dhe funksion identitetit tonë kulturor në Luginë, ka shkruar Mustafi.

POSTIMI I PLOTË I Mustafit

Gurthemel për Kulturën e Kujtesën Kombëtare në Luginë!

🇦🇱Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të 264-të, miratoi sot mbështetjen financiare prej 580,000 € për ndërtimin e Shkollës së Muzikës dhe Muzeut të Preshevës – një projekt që i jep emër, adresë dhe funksion identitetit tonë kulturor në Luginë!

Ky nuk është thjesht një objekt i ri. Është akt afirmimi kombëtar, është shkollë që ngjiz talentin dhe muze që ruan kujtesën. Është ngritje e themeleve institucionale atje ku më parë kishte vetëm harresë e mohime.

Shkolla e Muzikës do të jetë strehë për fëmijët tanë të talentuar, që në vend të heshtjes, do të rriten me nota muzike.

Muzeu i Preshevës do të jetë vendi ku historia jonë nuk do të tregohet nëpër korridore të errëta, por në hapësira dinjitoze dhe të dokumentuara.

Ky vendim është shumë më tepër se fond publik – është vullnet politik, kujdes institucional dhe mesazh i qartë se shqiptarët e Luginës nuk janë të vetëm.

“Qeverinë tonë do ta kenë përherë në krah” tha kryeministri Albin Kurti përderisa Ministri i Kulturës Hajrulla Ceku nënvizoi se “ky projekt paraqet një vlerë të shumëfishtë kulturore, artistike e identitare”

🤝Faleminderim të thellë për Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Kur kujdesi bëhet politikë e mbështetja merr formë konkrete – atëherë identiteti nuk është vetëm krenari, por realitet institucional.