Kryetari i komunës së Bujanocit Arbër Pajaziti priti sot në takim kryetarin e Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Aleksandar Martinoviq, bashkë me bashkëpunëtorët e tij.
Pajaziti, thuht ta ketë njoftuar kryesuesin e TK-së me projektet që janë në realizim e sipër si dhe me projektet e planifikuar për vitin e ardhshëm dhe rritjen e buxhetit për tri komunat.
POSTIMI I PLOTË I PAJAZITIT
“Sot në Bujanoc takova kryetarin e Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Aleksandar Martinoviq, bashkë me bashkëpunëtorët e tij.
Takimi ishte i përqendruar në diskutime të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejt me zhvillimin e komunës sonë dhe rajonit në tërësi.
E informova z. Martinoviq për projektet që janë në zbatim dhe ato që pritet të nisin së shpejti me mbështetjen e Trupit Koordinues.
Diskutuam edhe për përgatitjet që po bëhen në funksion të shpalljes së konkurseve të reja nga ky institucion, me qëllim që të përfshijmë sa më shumë projekte zhvillimore për komunitetin tonë.

Një pjesë e rëndësishme e bisedës iu kushtua planifikimeve dhe programeve për vitin e ardhshëm, me synimin që të rritet buxheti i dedikuar për Trupin Koordinues dhe në këtë mënyrë të sigurojmë më shumë investime për Bujanocin.
Theksuam gjithashtu domosdoshmërinë e koordinimit të ngushtë me ministritë përkatëse, për të mundësuar realizimin e projekteve të reja në fusha të ndryshme, veçanërisht në infrastrukturë, edukim dhe ekonomi.
Kërkova që nevojat reale të Komunës së Bujanocit të shpalosen qartë para ministrive dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë, në mënyrë që të marrin vëmendjen dhe përkrahjen që meritojnë.
Pa një qasje të tillë, është e vështirë të realizojmë ndryshime konkrete në jetën e përditshme të qytetarëve tanë.
Në fund të takimit, shpreha mirënjohjen time për përkushtimin e Trupit Koordinues në mbështetjen e komunave të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës gjatë viteve.
Bashkëpunimi i sinqertë dhe afatgjatë është çelësi për zhvillim të qëndrueshëm dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët tanë” ka shkruar Pajaziti.












