Saqipi uronë komandantin Simoviq me rastin e daljes në pension

0
243

Me rastin e daljes në pension të komandantit të lartë të Ushtrisë së Serbisë, Milosav Simoviq, i shpreh urimet e mia më të përzemërta për një pensionim të qetë, dinjitoz dhe me jetë të lumtur e të begatë.

Reflekse

Nga Reis-l-Ulema i Bashkësisë Islame të Serbisë, H. Nexhmedin ef. Saqipi

Me rastin e daljes në pension të komandantit të lartë të Ushtrisë së Serbisë, Milosav Simoviq, i shpreh urimet e mia më të përzemërta për një pensionim të qetë, dinjitoz dhe me jetë të lumtur e të begatë. Uroj që ta jetojë pleqërinë në paqe, siç e meriton çdo njeri që përpiqet të ruajë vlerat njerëzore në çdo kohë dhe rrethanë.

Z. Simoviq e kam njohur për herë të parë në vitin 1999, në Tërnoc, në ambientet e Klubit të Futbollit. Ishin ditë tensioni të thellë – me luftën në Kosovë, ikjen e njerëzve, bombardimet e NATO-s dhe presionin psikologjik të përhapur nga dezinformatat mediatike.

Mobilizimi

Në Preshevë e Bujanoc nisën thirrjet për mobilizim të detyruar nën moton “Otadžbina te zove!” – “Atdheu po të thërret!”. E quaj “mobilizim me dhunë”, sepse shqiptarët nuk kishin qenë të përfshirë në sistemin ushtarak të Jugosllavisë pas shpërbërjes së saj, dhe nuk ishin trajtuar me barazi në shërbimin ushtarak qysh nga lufta në Slloveni.

Vetëm 84 të rinj nga komuna jonë iu përgjigjën thirrjes. U grumbulluam në ambientet e Klubit të Futbollit dhe Boksit. Aty, për herë të parë, na vizitoi komandanti Simoviq me një delegacion ushtarak. Na njoftuan se të nesërmen do të dërgoheshim në kufi me Maqedoninë e Veriut për të hapur një kanal ku do të vendosej një kabëll ushtarak.

Trishtimi

Frika ishte e madhe – jo nga puna, por nga rreziku i sulmeve ajrore. Ishin të pranishëm edhe oficerë shqiptarë, si mësues Hajrushi dhe prof. Myzafri, por askush nuk mund të jepte garanci sigurie. Në atë situatë, propozova që të shkonim, por me kushtin që të merrnim me vete veshje civile, për të mos u identifikuar si objektiv ushtarak. Simoviqi pranoi menjëherë dhe tha: “Po, në përgjegjësinë time.” Po ashtu, kërkuam të merrnim një bager nga Tërnoci, dhe sërish u përgjigj: “Merreni, në përgjegjësinë time.”

Në ato çaste kuptova se kisha përballë një njeri të ndershëm, paqësor dhe me guxim për të marrë përgjegjësi për jetën e të tjerëve – edhe pse nuk i përkisnim të njëjtit komb. Ai nuk ishte i verbuar nga urrejtja apo frika. Ishte një komandant që e nderonte uniformën.

Unë besoj se nuk ka popuj të këqij, as ushtri apo polici të keqe – por individë që e përdorin pushtetin dhe uniformën për të bërë keq. Simoviqi nuk ishte prej tyre. Kjo përvojë personale më ka mësuar se fqinjësia, bashkëjetesa dhe respekti janë të mundshëm – madje edhe në kohë lufte, e aq më tepër pas saj. Pas çdo konflikti, duhet të vijë tavolina dhe dialogu. Lufta nuk zgjat përgjithmonë – paqja duhet të zgjasë.

Thuhet se burrat i gjejnë miqtë në kohët më të vështira. Që nga ajo kohë, nuk më është dhënë rasti ta takoj më z. Simoviq – as për një kafe – edhe pse kemi qenë të ftuar në disa ceremoni ku kemi ndërruar përshëndetje me respekt. Por kurrë nuk i kemi kërkuar ndonjë privilegj – as atëherë kur kemi pasur nevojë.

Misioni

Ky është mësimi që mora nga një oficer serb, i cili nuk e tradhtoi misionin e tij njerëzor. Ky shembull duhet të shërbejë për të gjithë ne. Ndaj atyre që sot, pas kalimit të rreziqeve, përhapin urrejtje dhe propagandë – e që asnjëherë nuk kanë përjetuar vështirësi, që kanë ikur, u janë shmangur rreziqeve, apo nuk kanë qenë as të lindur në atë kohë – u them: mos luani me ndjenjat e atyre që kanë vuajtur. Mos shisni patriotizëm të rremë. Ne që kemi kaluar përmes ferrit, kemi zgjedhur ta lëmë pas urrejtjen dhe të ndërtojmë paqen, që kjo të mos u ndodhë më brezave të rinj.

Mesazhi

Jemi popuj të vegjël, të varur nga interesat gjeopolitike të të mëdhenjve – ndaj na takon të kërkojmë paqe, e kjo bëhet vetëm përmes njerëzve dhe bisedimeve. Këto kujtime nuk i fshin koha. Janë mësime për ata që udhëheqin sot dhe për ata që do të vijnë. Nuk janë për t’u treguar si lavdi personale, por për të ndërtuar ura mirëkuptimi.

Sepse bota ka ende nevojë për njerëz që mbrojnë paqen më shumë sesa interesin vetjak. Komandanti Simoviq për mua ishte njëri prej tyre. Përballë politikanëve të rinj që përpiqen të nënshkruajnë marrëveshje pa dialog dhe që mbesin në gjysmë të rrugës – ashtu si shumë nisma të dështuara në emër të multietnicitetit dhe fqinjësisë së mirë – vepra e Simoviqit mbetet një dëshmi se pa dialog nuk ka paqe të qëndrueshme e as integrim evropian.