Pushteti i drejtuar nga Nagip Arifit vitin 2024 e nis me dy projekte kapitale, mbi 1.3 milion euro

0
564

Kryetari i komunës së Bujnaocit Nagip Arifi ka njoftuar sot se edhe zyrtarisht ka pranuar konkluzionin për renovimin komplet të shkollës fillore “Sami Frashëri” në Lluçan. Kjo sipas kryetarit Arifi ka ardhur pas kërkesave të vazhdueshme në këtë drejtim, e qëllim të përmirësimit të kushteve mësimore për nxënësit e fshatit Lluçan dhe paraleleve të ndara që mësojnë në këtë objekt.

Siç duket viti 2024 ka nisur me projekte kapitale në vlerë mbi 1.3 milion euro për dy projekte që kanë për qëllim përmirësimin e infrastrukturës në objektet arsimore ku mësojnë shqiptarët.

“Një lajm shumë i mirë për nxënësit e shkollës fillore “Sami Frashëri” në Lluçan.

Pas kërkesave të vazhdueshme për përmirësimin e kushteve mësimore në këtë shkollë, sot zyrtarisht pranova konkluzionin nga Qeveria e Republikës së Serbisë se do të renovojë komplet shkollën fillore në Lluçan.

Vlera e përgjithshme e këtij projekti është 90 milionë dinarë pa TVSh.

Ky është një fillim i mbarë i këtij viti, pasi që vetëm brenda muajit Janar na u kanë konfirmuar fondet për dy projekte kapitale, e që të dyjat lidhen me kushtet në arsim; palestra sportive për shkollën fillore “Naim Frashëri” në Bujanoc, financuar nga Bashkia e Tiranës, dhe tash kjo e renovimit të shkollës fillore “Sami Frashëri” në Lluçan nga ana e Qeverisë së Republikës së Serbisë.

Me investime kapitale do të vazhdojmë edhe në çdo vendbanim tjetër, gjithnjë duke u përpjekur që qytetarët tanë të gëzojnë kushte më të mira” ka deklaruar Arifi.