Nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës Arbërie Nagavci në postimin e sajë në rrjetin social ka thënë se dy qeveritë shqiptare Kosova dhe Shqipëria duhet të mbështesin shqiptarët e Luginës, për të penguar shpërnguljen nga trevat shqiptare të kësaj zone.
Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJA gjithashtu ka thënë se “Shqiptarët e Luginës së Preshevës janë qytetarët më të diskriminuar në rajon”
Këtë postim Nagavci e ka bërë pas ceremonis në Tiranë ku Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta e ka dekoruar me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, veprimtarin nga Medvegja Muharrem Salihun.
Postimi i Nënkryetares Nagavci:
Kisha kënaqësinë që të marrë pjesë në ceremoninë e nderimit të veprimtarit të shquar nga Lugina e Preshevës, zt.Muharrem Salihu nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, zt. Ilir Meta.
Vlerësimi me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, është pa dyshim inkurajim i përpjekjeve për të drejtat e popullit shqiptar të Luginës së Preshevës. Veprimtaria dhe angazhimi i zt. Salihu në mbrojtje të lirive dhe të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, si dhe afirmimi kudo i interesave kombëtare, është frymëzues për të gjithë.
Problemet me të cilat përballen shqiptarët në Medvegjë, Preshevë e Bujanoc janë të shumta e të vazhdueshme nga mungesa e teksteve shkollore tek pasivizimi i adresave dhe përpjekja për të shpopulluar Medvegjën.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës janë qytetarët më të diskriminuar në rajon. Presioni nga strukturat shtetërore të Serbisë dhe kufizimi i lirive dhe të drejtave kolektive të tyre ka për qëllim shpopullimin e këtyre trevave. Shtetet shqiptare, Tirana dhe Prishtina duhet të mbështesin shqiptarët e Luginës, për të penguar shpërnguljen nga trevat shqiptare të kësaj zone, ka shkruar Nënkryetarja Arbërie Nagavci. /Lajmi-AL/












