Organizata për mbështetjen e refugjatëve, azilkërkuesve dhe emigrantëve të tjerë njoftoi sot se në Serbi po qëndrojnë aktualisht 6000 emigrantë dhe theksoi se çdo ditë në vend hyjnë 500 migrantë të rinj. “Në qendrat e pritjes janë 159 familje dhe gjithsej 283 fëmijë, nga të cilët 125 janë të mitur të pashoqëruar”.
Rreth 100 fëmijë janë të moshës shkollore, kurse 43 janë të regjistruar në shkollë në Vranjë, Krnjaçë dhe Shid”, njofton Info park, përcjell presheva.com.
Ata theksojnë se është rritur numri i djemve të pashoqëruar, kështu që aktualisht në qendrën pranuese në Preshevë janë 58 të mitur. Kur bëhet fjalë për refugjatët ukrainas, në qendër të Vranjës janë 78 emigrantë.
Njëzet fëmijë janë të vendosur në kampin e Vranjës dhe 21 fëmijë të tjerë ukrainas në akomodim privat”, tha organizata.
Info Park vlerësoi se shteti “përdor” emigrantët, refugjatët dhe azilkërkuesit për të rritur kapacitetet e institucioneve të tij, ndërkohë që përfituesit nuk marrin në fakt ndihmë. Sipas Info Park, preferencë u jepet njerëzve që vijnë nga Rusia dhe Ukraina ndaj atyre që vijnë nga Lindja e Mesme apo Afrika.
Që nga fillimi i vitit, më pak se 7,000 emigrantë kanë kërkuar një lloj ndihme nga Info Park.
“Gjithnjë e më shumë është nevoja për mbështetje dhe ndihmë psikologjike pas vuajtjes së dhunës në kufi, apo ndihmë gjatë vendosjes në qendrat e pritjes të sponsorizuara nga shteti”, tha Info Park.












