Sot, me qëllim të intervistimit rreth mosshlyerjes së borxheve të qirasë së disa shfrytëzuesve të hapësirës publike në qytetin e Bujanocit, është shoqëruar për t’u intervistuar në polici ish-likuiduesi i ndërmarrjes për ndërtim të Komunës së Bujanocit.
Edhe pse për t’u intervistuar do të mjaftonte një ftesë e zakonshme, organet e shtetërore përsëri zgjodhën metodën e pakuptimtë të shoqërimit deri në prokurori, të ish-drejtorit, ndërsa MPB lëshoi deklaratë se është fjala për arrestimin e tij.
Në fakt, një veprim i tillë më shumë i ngjanë një presioni tanimë të shpeshtuar politik, sidomos para zgjedhjeve, sesa qëllimit për ta luftuar “menaxhimin jo të mirë” të organit gjegjës.
I gjithë ky spektakël natyrisht përfundoi me mbarimin e intervistimit dhe personi i “arrestuar” doli të jetë shoqëruar vetëm për intervistim.
Në esencë, fjala është për tentativë të vazhdueshme të presioneve që po i bëhen drejtuesve shqiptarë të institucioneve publike.












