Kamberi: NJË LISTË E VETME ZGJEDHORE SHQIPTARE NË MEDVEGJË !

0
362

Deputeti popullorë, njëherit kryetar i PVD-së Shaip Kamberi, në postimin e tijë të fundit ka paraqitur idenë e garimit me një listë të përbashkët të shqiptarëve në komunën e Medvegjës, nëse vie deri te mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme lokale në këtë komunë.

Postimi i plotë i Kamberit:

Partia autoritare dhe pushteti autokrat i SNS të Aleksandër Vuçiqit paska vendosur të nxis zgjedhje të parakohshme në Komunën e Medvegjës, ku më 2016 ka përjashtuar të zgjedhurit shqiptarë nga qeverisja komunale, duke e thyer parimin e qeverisjeve multietnike në Luginën e Preshevës që zbatohej nga viti 2001, si produkt i procesit të nisur pas marrëveshjes që i pati dhënë fund luftës së armatosur.

Pavarësisht qëllimeve dhe motiveve të SNS, në rast konfirmimi zgjedhjesh të parakohshme lokale, kjo është një mundësi e re për ta përmirësuar përfaqësimin e shqiptarëve në organet lokale.

Të përballur me dekada me presionin e vazhdueshëm diskriminues shtetëror, së fundi edhe me pasivizimin e vendbanimeve të tyre, si metodë moderne e spatrimit etnik, shqiptarët e paktë që kanë mbetur në Medvegjë nuk e kanë luksin të garojnë në zgjedhje me disa lista zgjedhore.

Së pari një listë e përbashkët shqiptare.

Pa këtë listë, edhe politikat më të mira të mundshme nuk mjaftojnë për ta përmirësuar sadopak gjendjen e shqiptarëve.

Si kryetar i Partisë për Veprim Demokratik, zotohem se do të angazhohemi për listën e përbashkët si interes mbipartiak, ka shkruar deputeti Kamberi./Lajmi-AL/