Udhëtimi në vendet e BE-së do të jetë i mundur me cilën do vaksinë

0
292

Certifikatat dixhitale të gjelbërta, të cilat duhet të bëhen funksionale në BE nga fillimi i verës, do të lëshohen për të gjitha vaksinat kundër Covid-19 që janë miratuar në nivelin e Bashkimit Evropian, por secili shtet anëtar do të ketë mundësinë të vendosë për vete, që në teritorin e tyre të lëshojë edhe ata persona që janë vaksinuar me vaksinat tjera, të cilat Brukseli akoma nuk i ka miratuar zyrtarisht.

“Shtetet anëtare do të jenë të detyruara të pranojnë vaksina të miratuara në nivel të BE-së, por secili vend do të jetë i lirë të vendosë se cilat vaksina shtesë duan ti pranojnë,” ka thënë Didier Reynders, Komisioneri Evropian për Drejtësi.

Në një debat përpara Komisionit të lirisë së lëvizjes të parlamentit Evropian, Reynders tha se qëllimi kryesor i certifikatave dixhitale të gjelbërta është të lehtësonjnë lëvizjen e lirë në BE dhe të ndihmojnë qytetarët të rimarrin të drejtën e tyre për udhëtime pa pengesa në një mënyrë që të përshtatet me situatën shëndetësore.

Në Bruksel, theksojnë se certifikatat dixhitale nuk janë “pasaporta të vaksinimit”, por që ato nënkuptojnë tre lloje të certifikatave që do të lëshohen në formë dixhitale ose letre dhe do t’i referohen provës së vaksinimit kundër covid-19, testit negativ ose provës së ekzistencës së antitrupave./LajmiAL/