Ndahen mjete nga fondi buxhetor për pakicat kombëtare për vitin 2026, 30.000.000,00 dinarë, KKSH vazhdon me bojkot

0
433

Në Pallatin Serbia sot u mbajt mbledhja e Këshillit për Pakicat Kombëtare, e kryesuar nga kryeministri i Republikës së Serbisë, prof. dr. Gjuro Macut, në prani të ministrit për të drejtat e njeriut dhe të pakicave dhe dialogun shoqëror, Dema Berisha, përfaqësuesve të organeve shtetërore dhe këshillave kombëtare të pakicave kombëtare, thuhet në faqen e ministrisë gjegjëse.

Para fillimit të mbledhjes, kryeministri Macut deklaroi se në këshillat kombëtare promovohen në mënyrën më të mirë aktivitetet e të gjitha pakicave kombëtare dhe u jepet mundësia për veprimtari arsimore, edukative dhe kulturore anëtarëve të komuniteteve pakicë që jetojnë në Serbi.

Ai shprehu shpresën se do të vazhdojë bashkëpunimi i mirë, frytdhënës dhe shumë konstruktiv me të gjitha pakicat kombëtare, duke falënderuar ministrin për të drejtat e njeriut dhe të pakicave dhe dialogun shoqëror, Dema Berisha, për angazhimin e tij në dialogun me këshillat kombëtare.

Ministri Berisha tha se mbledhja e sotme konfirmoi përkushtimin e ministrisë përkatëse që përmes dialogut të vazhdueshëm, bashkëpunimit me këshillat kombëtare dhe mbështetjes institucionale të forcojë më tej të drejtat dhe pozitën e pakicave kombëtare.

“Është e rëndësishme që zëri i çdo komuniteti të dëgjohet dhe të respektohet, prandaj do të vazhdojmë të punojmë në krijimin e politikave që kontribuojnë në përfshirje më të madhe sociale, ruajtjen e identitetit dhe forcimin e besimit të ndërsjellë. Vetëm një shoqëri që respekton dallimet dhe ndërton ura mirëkuptimi mund të jetë e qëndrueshme, e drejtë dhe e orientuar drejt së ardhmes”, ka theksuar ministry Berisha.

Në mbledhje u miratua Propozim-programi për ndarjen e mjeteve nga Fondi Buxhetor për Pakicat Kombëtare për vitin 2026, për të cilin janë siguruar gjithsej 30.000.000,00 dinarë.

Sipas këtij propozim-programi, kultura është paraparë si fushë prioritare për financimin e programeve dhe projekteve për pakicat kombëtare gjatë këtij viti, duke konfirmuar përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Serbisë për të vazhduar punën në përmirësimin dhe zhvillimin e praktikave kulturore të pakicave kombëtare në Serbi.

Ndër të tjera, në mbledhje u diskutua edhe për raportin mbi punën e Koordinimit të këshillave kombëtare të pakicave kombëtare, si dhe për raportin mbi aktivitetet e realizuara dhe të planifikuara të këtyre këshillave.

Duke pasur parasysh zhvillimet e fundit dhe theksimin e vazhdueshëm të dialogut dhe bashkëpunimit me këshillat kombëtare, shtrohet pyetja: deri kur Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH) do të vazhdojë ta bojkotojë këtë ministri dhe proceset institucionale, dhe cilat mund të jenë pasojat konkrete të këtij qëndrimi për përfaqësimin, të drejtat dhe përfitimet që u takojnë shqiptarëve në Serbi, sidomos në aspektin e financimeve, politikave zhvillimore dhe ndikimit në vendimmarrje?

Gjithashtu, siç u pa edhe në këtë mbledhje ku u diskutua për ndarjen e mjeteve financiare nga buxheti i shtetit për pakicat kombëtare në Serbi, nuk ishin të pranishëm përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptar.