“Më mirë në Gjermani, se sa këtu kamarier i diplomuar”

0
241

Nga viti në vit, entuziazmi i të rinjve për të vazhduar studimet universitare po shuhet në heshtje. Sot, më shumë se kurrë, maturantët nuk shohin arsimin e lartë si rrugën drejt një të ardhmeje më të mirë, por si një investim që nuk kthehet.

Gjendja është alarmante, dhe këtë e dëshmojnë të dhënat e fundit që tregojnë se vetëm rreth 10% e maturantëve planifikojnë të ndjekin studimet — dhe shumica e tyre në universitete private, shpesh për shkak të mungesës së alternativave të qëndrueshme publike.

Pse ndodh kjo?

Arsyet janë të thella dhe komplekse, por dy faktorë spikasin më shumë:

  • Mosnjohja e diplomave nga shteti i Serbisë, dhe
  • Mundësia për një jetë më të mirë jashtë vendit, kryesisht në Gjermani.

Por ajo që dhemb më shumë është se në këtë vorbull dyshimi dhe pasigurie po mbyten edhe ata që ishin më të motivuar, më të përgatitur, më të shkëlqyer. Janë pikërisht nxënësit që për katër vite me radhë kanë dhënë maksimumin e tyre, të mbështetur nga familjet që ëndërronin të shihnin fëmijët e tyre në auditore dhe jo me tabaka në dorë.

Një i ri nga Komuna e Bujanocit e përshkruan realitetin me fjalë të thjeshta, por therëse:

“Kam qenë nxënës i shkëlqyer dhe isha përgatitur katër vite për të ndjekur studimet. Por kur pashë që diploma ime nuk do të më hapë rrugë këtu, kuptova që më e sigurt është të shkoj në Gjermani se sat ë mbes kamarier këtu. Pas katër viteve studime, thjesht do të jem kamarier i kualifikuar, që do të shërbejë në kafiteri apo edhe restaurante dasmash – kjo është e vërteta që dhemb.”

Ky rrëfim nuk është i izoluar. Është zëri i një brezi të tërë që po refuzon sistemin jo sepse nuk do dije, por sepse sistemi nuk u ofron shpresë. Kjo nuk është më çështje preferencash individuale. Është një dështim sistemik, ku shkolla nuk garanton perspektivë, diploma nuk siguron punë, dhe atdheu nuk ofron arsye për të qëndruar.

Në vend që të ndërtojmë politika që fuqizojnë arsimin publik, që rrisin besimin në diplomë dhe që krijojnë mundësi të barabarta për të gjithë, po shohim me duar në xhepa ikjen e trurit të ri – në heshtje, me pasaportë në dorë dhe mall në shpirt.

A është e drejtë që më e mira e rinisë sonë të kthehet në statistikë emigracioni?

Nëse nuk veprojmë sot, nesër nuk do të kemi më as nxënës të shkëlqyer, as studentë me ambicie dhe as shoqëri me të ardhme. Sepse një shoqëri që e shpërblen përpjekjen me zhgënjim, e shtyn më të mirin drejt aeroportit, jo auditorit.