Bujanoc: Dhezen motorrat opozitë VS pozitë

0
677

Me fillimin e temperaturave tropikale që kanë përfshirë vendin si duket edhe skena politike është ndikuar nga i nxehti. 

Është ky një intensifikim i opozitarizmit apo shterrje e opsioneve për bashkëqeverisje kjo mbetet të shihet ditëve në vijim, mbase si do të rjedhin gjërat edhe në nivel më të lartë. Zyrtari i PD-së Sali Salihi ka postuar në rrjetin e tijë social një shkrim të titulluar: “Bujanoci në 6 mujorin e parë të 2025-tës: Rezultatet që s’po i sheh askush!”

Postimit të Salihit menjëherë iu ka përgjigjur këshilltari i pozitës Florim Agaj, postimin me titull: ““Lulëzimi” i Bujanocit në katërvjeçarin e ish pushtetit!”

Më poshtë i keni postimet e Cakit dhe Florit!

Postimi i Sali Salihit:

Bujanoci në 6 mujorin e parë të 2025-tës: Rezultatet që s’po i sheh askush!

Nëse ndjekni vetëm rrjetin social Facebook dhe jetoni larg Bujanocit, mund të shifni se pushteti në Bujanoc çdo ditë publikon “projekte”, “angazhime”, “takime” dhe “suksese”.

Aty, në universin virtual të Facebook-ut, problemi i deponisë është “zgjidhur”, problemi i ujit është “zgjidhur”, dhe çdo sektor është “mbështetur”.

Mirëpo, kur del ne terren shef një realitet krejt ndryshe. Deponia vazhdon të digjet, mungesa e ujit ka filluar nga muaji Maj, kurse asnjë sektor i rëndësishëm nuk është mbështetur.

Bilanci i 6 mujorit të këtij viti rezulton kështu: 

1. Asnjë dinarë ndihmë për studentët.

2. Asnjë dinarë për praktikantët (bile edhe atyreve që janë angazhuar mandatin e kaluar, nuk iu ka paguar kompenzimi).

3. Asnjë dinarë për bujqit.

4. Asnjë dinarë për bizneset lokale.

5. Asnjë dinarë për mediat.

6. Asnjë dinarë për sportin (edhepse komisioni ka shpallur vendimin për ndarjen e mjeteve).

7. Asnjë dinarë për shoqëritë kulturore artistike.

8. Asnjë dinarë për organizatat joqeveritare.

9. Asnjë rrugë e asfaltuar.

Nejse, ka edhe punë që janë kryer. Disa drita të djegura në bandera janë zëvendësuar dhe disa gropa janë mbuluar.

Ndryshimi po ndodh! Ndryshim negativ, fatkeqësisht!

Postimi i Florim Agajt:

“Lulëzimi” i Bujanocit në katërvjeçarin e ish pushtetit!

Rezultate që rezultuan me “shpërblim” në zgjedhje!

Nëse ktheheni në kohë dhe i vështroni të arriturat e ish-pushtetit në Bujanoc, do të hasni në krenari dhe mburrje, për:

1. Subvencione për biznese lokale, por vetëm për familjarë dhe militantë partiak

2. Praktikantë recidiv, disa të moshës 50 vjeçare, mbi të gjitha të afërm të liderëve dhe militantë partiak

3. „Mbështetje“ për bujqit me sera digjitale dhe vetëm në letër, përkrahës partiak në Facebook,

4. „Mbështetje“ për sportin, mediat, OJQ-të: një vit mjete të ndara natën e vitit të ri, vitin tjetër aspak.

5. Asfaltim i oborreve për të afërmit e partisë.

6. Ndriçim në oborret dhe bizneset e partiakëve, baxhanakëve, dajallarëve….

7. Pagesa për bagerët që „punonin“ për fikjen e deponisë 36 orë në ditë.

8. Ujë për pije 40 orë në ditë, përfshirë edhe „Rosa“

9. Mbeturina me bollëk në çdo kënd të qytetit dhe përgjat secilit vendbanim.

Dhe shumë “të arritura” të tjera për të cilat populli ju „shpërbleu“ me 2 qershor të 2024-ës. 

Këto ishin realitete për 4 vjet, jo për 4 muaj.”