Më shumë se 42 kilogramë drogë sintetike, të fshehura në rezervuarin e një kamioni, janë konfiskuar në vendkalimin kufitar të Preshevës, njofton Drejtoria doganore.
Droga u zbulua kur një kamion me targa të huaja, i cili udhëtonte nga Greqia në Belgjikë, u veçua për kontroll në skanerin celular të doganës në hyrje të vendit.
“Duke analizuar pamjen nga skaneri, u konstatuan parregullsi në zonën e rezervuarit të karburantit, i cili ishte ndarë për qëllime kontrabande dhe ishte maskuar me stuko të posaçme që të dukej sikur ishte i prodhuar në fabrikë.
Nga kontrolla e detajuar rezultoi se pjesa e brendshme e rezervuarit ishte e ndarë në mënyrë që vetëm një e katërta merrte karburant, ndërsa pjesa më e madhe e rezervuarit përdorej për fshehjen e lëndëve narkotike”, njoftojnë nga Drejtoria doganore.
Janë zbuluar gjithsej 63 pako me lëndë pluhur me peshë 42.3 kilogramë, të cilat gjatë testimit manual kanë reaguar ndaj drogës sintetike MDMA dhe amfetaminës.
Droga së bashku me drejtuesin e mjetit dhe kamionin me të cilin ishte kontrabanduar lënda narkotike i kaluan policisë për juridiksion të mëtejshëm.












