Reportazh nga: Elejsa ASANI
Fshati Sumolicë shtrihet në pjesën jugore të Republikës Socialiste të Serbisë dhe i takon territorit të Pamoravljes Jugore. Territori shtrihet në pjesën lindore të luginës së lumit Moravicë dhe përfshin një sipërfaqe prej 5.13km². Ka një shtrirje të volitshme gjeografike, meqëse gjendet në arterijen më frekuente të siujdhesës Ballkanike, atje ku luginë e Moravës lidhet me atë të Vardarit. Në perëndim kufizohet me luginën e Moravicës, në anën veri-lindore me kodrën e ashtu quajtur “Bahçja e Feratit”(618m), në anën veriore me Sukën e Sumulicës(507m).
VEÇORITË FIZIKE-GJEOGRAFIKE
Si fshat shtrihet në mosivin e maleve Rodopeve(Male mollake) të cilat shtrihen prej Maqedonisë lindore dhe vazhdojnë përgjatë luginës së Moravës jugore. Është rrafshi aluvial i Moravicës,i përbërë prej sedimenteve zallore-lymore dhe elementeve mikrorelievore fluvialo-akumulative,që është i përshtatshëm për rritjen e cerealjeve të ndryshme. E dyta është zona kodrinore ku dominon toka argjilore dhe ngjyrë hiri-kafe e cila është e përshtatshme për rritjen e duhanit.Dhe pjesa e tretë e përshtatshme më tepër për blegëtori dhe pylltari.

PJESA E MORFOLOGJISË
Lugina e përroit të Sumolicës është forma më e madhe erozive fluviale. Pos kësaj lugine,kemi edhe një luginë më të vogël,atë të përronit të Frashërit e cila bashkohet me luginën e lumit të Sumolicës në mes territorit. Përbërja gjeologjike e terenit të Sumolicës është e ndryshme,këtu paraqiten shkëmbinjtë me përbërje të llojllojshme të vjetërsive të ndryshme gjeologjike. Shkëmbinjtë e këtij territori i takojnë epokave më të vjetra të erës së Paleozoikut, ku paraqiten këto shkëmbinj: granitet,mikashistët,konglomeratet,zhavori,dhe rëra të cilat janë të pasura me kalium(element i rëndësishëm në kualitetin e duhanit).
KLIMA
Ky territor sipas pozitës gjeografike gjendet në zonën e mesme kontinentale,por prapë nuk ka klimë kontinentale,për shkak të hapësirës së tij nga jugu te veriu,e cila ka bërë që ti nënshtrohet ndikimit të klimës kontinentale dhe asaj mediterane,ndikime jo stabile. Karakteristikë kryesore është që stinët nuk zgjasin njësoj.(Ndryshojnë shpesh).
HIDROGRAFIA
Në përgjithësi rrjeti hidrografik i territorit të Sumolicës i takon ujëmbledhësit të Moravicës,gjegjësisht pellgut të Detit të Zi. Në territorin e fshatit ka rrjedhje të përhershme dhe rrjedhje të përkohshme. Sasia e ujit këtu rritet zakonisht në stinēt me reshje të mëdha.
PAK HISTORI
Fshati Samolicë është fshat i tipit të shpërndarë. Është i përbërë prej katër mahallëve të cilat janë larg njëra prej tjetrës. Fshati posedon 3 xhamia(faltore)ku janë të shpërndara ashtu sikurse lagjet e fshatit.

Mahalla më e vjetër është MAHALLA E TËRRNOCALIVE,e cila është e vendosur në pjesën veriore të fshatit, rreth përronit të Frashërit . Popullsia e parë në këtë mahallë ka ardhur nga fshati Tërrnoc i madh para afro 350vjetësh.Meqëse në atë kohë si degë kryesore ekonomike ishte blegëtoria,për të cilën në fshat egzistonin kushte ideale për rritjen e bagëtisë,së shpejti nga Tërrnoci erdhën edhe dy shtëpi,kështu që këtu u bënë tri shtëpi të një farefisi dhe vazhduan të jetojnë. Popullsia e kësaj mahalle janë të fisit “GASH” . !
MAHALLA E POSHTME – shtrihet në veri -perëndim të fshatit,në mes autostradës “Vëllazërim Bashkim” dhe rrugës vjetër(Xhadës së moçme). Popullsia e kësaj mahalle shumica janë të fisit Krasniq,e disa të fiseve të tjera. Këtu kanë ardhur nga Breza afër Lipkovës (rrethina e Kumanovës)para se më shumë se 300 vjet,kurse të tjerët nga rrethina e Pejës(Kosovë).
MAHALLA E SHEMSHIRËVE – Shtrihet në pjesën jugore të fshatit. Jetojnë 3grupe të popullsisë shqiptare,ato të fisit SHALË, të fisit THAÇ, dhe të familjes BERISHA. Popullsia e fisit Shalë mendohet të ketë ardh diku nga Kosova. Ndërsa afër Ristovcit familjet e fisit Berishë(Diku rreth Vranjës).
MAHALLA E KORBVE – është e lokalizuar në mes të territorit të fshatit. Të parët e kësaj mahalle kanë ardhur nga Berçevci(fshat në rrënzët e Karadakut).Popullsia e kësaj mahalle janë të gjithë të fisit Thaç. Në të kaluarën janë marrë më tepër me rritjen e bagëtisë .

Literatura e marrë nga Punim Diplome: Biladh Asani (GJEOGRAFI – 1984-PRISHTINË)
SPORTI
Unë jam Fuat Rexhepi i lindur në fshatin Sumolicë me datë 01.11.1975.
Banor i lagjes së poshtme të fshatit.Me futboll kam filluar të merrem që nga mosha 7 vjeçare dhe ende jam aktiv. Si trener kam 11 vite përvojë Uefa (C) liçencë.
Kur është pyetur rreth interesimit për futboll,treneri Fuat Rexhepi u shpreh i dëshpruar në krahasim me vitet e kaluara.Për punën e zvogëlimit të numrit të interesimit ai mendon se vendi e kushtet e bëjnë qe numri është arritur këtu ku është sot.
Por pyetjes se “Nga të gjitha moshat cila prej tyre ka më shumë numër dhe interesim për këtë sport”?
Fuati na tha se “inteteresimi më i madh është tek moshat U13 apo Fatosat”.Ai është shprehur mjaft i kënaqur me ata.
Por cilat janë sfidat e të qenurit trajner në Luginë na tregon vetë Fuati.
“ Është më shumë se një sfidë, vet vendi i vogël i cili na rrethon, na e krijon ҫdo ditë vështirësinë për të treguar veten, talentet, punën tonë. Vështirësitë financiare i kemi pasur gjithnjë dhe i kemi. Vetëm pasioni, vullneti për këtë sport më mban këtu ku jam.
Po dallimi mes një djali e një vajze në këtë sport ku qëndron ?
“Dallimi i vajzës nga një djalë është vetëm fiziku sipas meje e sa i përket talentit ndodh dhe mundet vajza me qenë edhe më talente. Këto gjykime nuk i shoh si të drejta në sport, jo vetëm në fotball, po në cilindo sport ,kurse interesimi në krahasim me djemt, ai i vajzave është në numer më të vogël ,megjithëse ekziston një klub i vajzave Shqiptare në Preshevë të cilat luajnë dhe garojnë në qytete të ndryshme të Serbisë, poashtu me plot probleme financiare dhe kushtet që I`u ofrohen për lojë e zhvillim të këtij sporti.

Rinia
Nga sporti kaluam tek rinia.Çfarë bën rinia e këtij fshati konkretisht fëmijët e moshës së re e si e kalojnë kohën e lirë na treguan vet ata.
Shkolla e fshatit,paralelja e ndarë në Bilaq “Desanka Maksimoviҫ” ka fushën e basketbollit dhe futbollit ngjitur me shkollën ku rinia e vendit kalojnë kohë aty.
Përveҫ këtyre sporteve merren edhe me ecje-ngjitje kodrave të fshatit,ku këto kodra i japin një pamje mjaft të bukur Sumolicës.
Siq e dimë,në kohën e sotme edhe teknologjia ka përparuar mjaftueshëm.Të rinjtë kalojnë kohë nëpër rrjete sociale dhe poashtu nëpër lojëra elektronike.Kjo pjesë e kalimit të kohës nga të rinjtë ka avantazhet dhe disavantazhet e veta. Por ata janë shprehur se janë më të kënaqur më shumë kur mbledhen me shokët e kalojnë kohë bashkë në natyrë.


BUJQËSI
Për anën e Bujqësisë zgjodhëm të bisedonim me Agim Avdilin.
Agimi është banor tek lagjja e Tërrnocalive. Ai më së miri punën e tij e tregon me punën e palodhshme që bën, e që kjo duket që nga rruga kryesore me serat e tij të shumta plot me speca, domate e plot perime tjera .
Ai na tregon se ka disa vite që merret me këtë punë dhe është fitimprurëse për të dhe familjen e tij. Puna që bën ai, bën që përveҫ fshatit Sumolicë që furnizohen me perime nga Agimi, të vijnë edhe nga fshatrat përreth të blejnë nga ai. Përveҫ që konsumatorët vijnë deri tek shtëpia aty ku Agimi bën punën e tij, ai këto perime i shet në treg në Bujanoc e në Preshevë, ku edhe atje interesimi për blerje nuk mungon. Agimi tregon se konsumatorët kanë mbetur të kënaqur nga blerjet e tyre, për shkak perimeve bio që ai i prodhon në sera.

ARSIMI
Për qështjen e Arsimit në fshatin Sumulicë biseduam me mësuesin Selim Bici, mësues i kësaj shkolle. I lindur më 10.05.1983 në Sumolicë, shkollën fillore nga klasa 1-4 e kreu në vendlindje ndërsa nga klasa 5 -8 në fshatin Bilaç. Shkollën e mesme drejtimi makineri në Bujanoc, pas shkollës së mesme u regjistrua në Fakultetin e Edukimit programi fillor në Universitetin e Prishtinës dega në Gjilan ku me sukses e përfundoi në vitin 2007. Në shtator të vitit 2007 filloi punë si mësimdhënës në shkollën fillore në Sumolicë, edhe sot vazhdon të punoj si mësues i mësimit klasor në këtë shkollë. Ndërkohë në vitin 2017 regjistroi studimet master në Univresitetin e Nishit , drejtim i Petagogjisë dega në Vranjë, ku në mars të 2019 i përfundon dhe merr titullin Master i Mësuesisë.
Mësuesi na tregoi edhe për numrin e nxënësve që ndjekin shkollën, ku ai deklaroi gjithsej 74 nxënës nga klasa e parë tek e 8-ta, poashtu edhe 8 nxënës në parashkollorë. Mësuesi na tregoi se këtë vit ai është kujdestar i klasës së 4-të, ku ka 12 nxënës dhe është i kënaqur me ta që nga dita e parë. Nuk le pa e përmendur edhe sfidën që e kaluam, pra Covid 19-të, që ishte fazë e rrezikshme për arsimin në përgjithësi, por që ai mendon se e kaluan me sukses… Kur u pyet për anën e zhvillimit të hovshëm të teknologjisë, mësuesi na tregoi se nxënësit tani me 3 vite janë duke e mësuar gjithashtu edhe lëndën ‘’Bota Digjitale’’, ku aty shërbehen me informata të duhura për paisjet teknologjike, si ti përdorin apo edhe anasjelltas t`i keqpërdorin apo te keqpërdoren fëmijët nga kjo teknologji.
Për në fund pyeta mësuesin se ҫfarë këshille i jep ai nxënësve për të pasur suksese dhe mbarësi në jetën e më tutjeshme e ai porositi:
‘’Të rinjët sot për të pasur sukses në jetën e tyre natyrisht që duhet pasur informacione të shumta, në shumë fusha e këto informacione i marrin duke lexuar pra duhet që sa më shumë të lexojnë, e pastaj njohja e përdorimi i teknologjisë, e njohja e gjuhëve të huaja do ti sjell atyre patjetër sukses’’

Shkolla e parë në këtë fshat ka pasur 4 klasë,mbas klasës së 4-të, nxënësit shkollimin e kanë vazhduar në Bilaҫ.




Fotografi të vjetra nga gjeneratat e para tek shkolla e vjetër në Sumolicë. Në fotografi janë veteranët e parë të arsimit si Isa Nevzadi dhe gruaja e tij Hanife Nevzadi si ndër to është edhe punuesi i kësaj shkolle Fehmi Hasani (tashmë I ndjerë).
Axha Fehmi ka pasur gjithnjë shumë për të na treguar, ka qenë ҫdo ditë aq afër shkollës e nxënësve,vatrës së arsimit. Ai tregonte me keqardhje se e shqetëson shumë, rënia e numrit të nxënësve , se më parë klasat ndoshta kanë qenë më të vjetra, të parregulluara e të vogla por numri i nxënësëve i`a ka kënaqur syrin.
“Gjerat kane qene shume me ndryshe, më strikte, por sipas meje ka qene gjë më e duhur”.












