Uglanin nuk i shkon në takim Vuçiqit. Kamberi pas takimit: Nuk është interes i KSHL të jetë pjesë e Qeverisë së Serbisë.

0
294

Sot kanë filluar konsultimet zyrtare të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të gjitha listat zgjedhore që do të kenë përfaqësues në përbërjen e re të Kuvendit.

Vuçiq fillimisht ka biseduar me kryetarin e Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, kryetarin e Bashkimit Demokratik të Kroatëve në Vojvodinë (DSHV), Tomislav Zhigmanov dhe përfaqësuesin e listës zgjedhore të Amaneti i Myftisë – Partia e Drejtësisë dhe Pajtimit, Usame Zukorliq.

Kamberi, pas konsultimit me Vuçiqin, ka deklaruar se nuk është as interes dhe as prioritet që Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës të jetë pjesë e Qeverisë së Serbisë.

Zhigmanov, nga ana tjetër, tha se Aleanca Demokratike e Kroatëve në Vojvodinë (DSHV) “shpreh gatishmërinë” që të jetë pjesë e institucioneve ku merren vendimet dhe të japë “kontribut” në zhvillimin demokratik të Serbisë.

Lista e SDA Sanxhakut – Dr. Sulejman Ugljanin, sot është dashur të ketë konsultime me Vuçiqin, por nga ajo parti është njoftuar se nuk do t’i përgjigjen ftesës së presidentit të Serbisë, shkruan N1.

Më herët kryetari i Partisë Popullore, Vuk Jeremiq, ka bërë të ditur se partia e tijë nuk do të shkojë në konsultime me Presidentin e shtetit dhe të Partisë Përparimtare Serbe, Aleksandar Vuçiq./LajmiAL/