MALËSIA E BUJANOCIT NËN MJEGULLËN E HARRESËS: FËMIJËT RREZIKOJNË JETËN PËR TË SHKUAR NË SHKOLLË!

0
124

Banorët e paktë që kanë mbetur në vendbanimet e Malësisë së Bujanocit po përballen me kushte jashtëzakonisht të vështira jetese. Mungesa e infrastrukturës bazë, rrugët e pakalueshme, largësia nga institucionet shëndetësore dhe arsimore, si dhe mungesa e dyqaneve ushqimore, e bëjnë jetën e përditshme të këtyre familjeve një sfidë të vazhdueshme.

Në vendbanime si Suharna, Novo Sella, Priboci, dhe të tjera të kësaj pjese, banorët ndihen të izoluar dhe të lënë pas dore. Për të siguruar gjërat elementare ushqimore, ata duhet të udhëtojnë kilometra të tëra, ndërsa ambulanta dhe shkolla më e afërt ndodhen më shumë se 13 kilometra larg.

Por shqetësimi më i madh mbetet rruga dhe siguria e fëmijëve.

Çdo ditë, prindërit detyrohen t’i transportojnë fëmijët nëpër rrugë të dëmtuara, me baltë dhe gropa të thella, ku edhe një gabim i vogël mund të përfundojë me pasoja tragjike.

Rasti i sotëm i Ilmi Bajramit nga Suharna e Buajnocit është dëshmi e kësaj gjendjeje alarmante. Duke tentuar t’i dërgojë fëmijët në shkollë, automjeti i tij ka përfunduar në një situatë tejet të rrezikshme, në një rrugë të dëmtuar dhe të mbushur me baltë. Për fat të mirë, gjithçka përfundoi pa pasoja për fëmijët, por Ilmiu u detyrua të kthehej në gjysmë të rrugës dhe nuk arriti t’i dërgonte ata në shkollë.

“Për pak sa nuk ndodhi më e keqja, fëmijët për pak sa nuk humbën jetën. Sot u detyrova të kthehem në gjysmë të rrugës dhe nuk arrita t’i dërgoj në shkollë”, rrëfen Ilmi Bajrami për LajmiAL.

Ironia e kësaj gjendjeje është se rruga e asfaltuar nga Muhoci deri në Zarbincë nuk e zgjidh problemin e banorëve. Sapo përfundon asfalti, fillon sfida e vërtetë: rrugët që lidhin vendbanimet e Malësisë, të cilat në ditë me shi shndërrohen në pengesë serioze për qarkullim.

Për këta banorë, një rrugë e kalueshme nuk është luks, por domosdoshmëri. Është rruga që duhet t’i çojë fëmijët në shkollë, të sëmurët te mjeku dhe familjet te furnizimet elementare për jetesë.

Në kohën kur flitet për zhvillim, investime dhe përmirësim të kushteve të jetesës, banorët e këtyre vendbanimeve ende përballen me pyetjen elementare: a do të mund të arrijnë të sigurt deri në destinacion?

Malësia e Bujanocit nuk kërkon privilegje. Kërkon rrugë të kalueshme, qasje në shërbimet bazë dhe kushte minimale për një jetë dinjitoze.

Sa gjatë do të vazhdojnë këta banorë të jetojnë të izoluar dhe sa raste të tjera duhet të ndodhin që problemet e tyre të marrin vëmendjen e institucioneve?/LajmiAL/