“Honxhobonxhot e bratsvo-jedinstvo” në Bujanoc,

Nga RAGMI Mustafi

0
299

Maskarada që përpiqet të duket si model i bashkëjetesës, nuk është gjë tjetër veçse një strukturë boshe, një skelet i trupi të lodhur nga premtimet e kota. Ky bashkëpunim i ashtuquajtur “komuna multietnike” i të mbivendosurit koordinues ndaj të nenshtruarit kryesues nuk shqetësohet për qytetarët. As për serbët e as për romët, sikurse jo se jo për shqiptarët e fatin e tyre.

Ajo që është e qartë për këdo që sheh përtej retorikës, është mungesa e çdo shqetësimi për nevojat dhe të drejtat e shqiptarëve, mospërfillje e plotë për raportet dhe rekomandimet e organizatave ndërkombëtare që flasin për diskriminimin dhe të drejtat e komunitetit shqiptar.

Ky bashkim “bratsvo-jedinstvo” është një fasadë për t’u shitur të huajve, një lloj flamuri i valëvitur për të larguar çdo vëmendje nga shkeljet sistematike të të drejtave të një populli të tërë. Dhe ndërsa raportet ndërkombëtare vërtetojnë diskriminimin, marginalizimin, përjashtimin, pushteti “multietnik” i shmanget çdo përgjegjësie reaguese. Për ta, këto raporte janë letra të kota që nuk e prishin gjumin e tyre të rehatshëm të sundimtarëve të sigurt, por jo edhe të dërgojnë letra për etiketuar kundërshtarët si “terrorizues” me protesta.

Ky aktë i trishtë i shthurjes së arrogancës sunduese nuk ka sy për shqiptarët, as veshë për zërin e të përjashtuarve. Ata nuk kanë nevojë të shohin e dëgjojnë, sepse për ta demokracia është një garniturë dekorative, një përkëdhelje për imazhin e jashtëm, por kurrsesi një mekanizëm për të çliruar popullin nga ndjenja e padrejtësisë.

Si gjithnjë, vazhdojnë të përforcojnë përçarjen dhe të mbajnë fort në duart e tyre mekanizmin e shurdhërisë përballë çdo kritike të ndërkombëtarëve ndaj Serbisë, a reagimi racionalizues lokal. Përmers një sistemi gatuajnë lajme për të shpërfytyruar realitetin. Një stisje sajesash që shërben për t’ia paraqitur botës një realitet të rremë. Një ngrehinë që nuk bëjnë gjë tjetër veçse fshehin përbuzjen e hapur ndaj çdo të drejte të qytetarëve e në veçanti të shqiptarëve.

Kjo rilindje e “bratsvo-jedinstvo” është një “bashkëjetesë e heshtur”, një lloj paqeje e ftohtë ku qytetarët përjashtohen, ku nuk ka as barazi, as respekt për vuajtjet e shqiptarëve.

Në këtë sistem, shqiptarët janë vetëm një numër që duhet të përmbahet dhe të heshten; nuk ka vend në tavolinën e pushtetit, dhe shqetësimet e tyre nuk gjejnë rrugëzgjidhje.

Për këta udhëheqës, vuajtjet e shqiptarëve janë thjesht shifra statistikash, ndërsa fati i tyre u intereson vetëm aq sa t’u mbajnë pozitat të sigurta. Indiferencë, mungesë të ndjenjës njerëzore që nuk e zgjat dorën e drejtësisë dhe të vërtetës.

Ky pushtet multietnik është një mashtrim i ngjeshur fort nën hijen e një retorike të pakuptimtë dhe të zbrazët. Si një honxhobonxho me fije të ngatërruara që nuk e ka për qëllim përparimin e vërtetë, por përçarjen dhe mbajtjen e një status quo-je të mykur, që nuk shqetësohet për qytetarët, për raportet e organizatave ndërkombëtare, as për të drejtat e tyre. Ky pushtet mëton rrënimin e vërtetë të institucioneve dhe demokracisë, kështjellë e ngritur mbi shpërfilljen e një populli dhe të idealeve që ai meriton.