Sa më afër fundit të tetorit dhe fillimit të nëntorit, aq më shumë shtohen zërat, “ndizen motorët” dhe nis puna e fushatës nëntokësore për zgjedhjet parlamentare.
Disa subjekte politike tashmë kanë filluar fushatën e heshtur, kuptohet, ato që kanë përvojë në këtë drejtim. Të tjera kanë nisur analizat e tyre, ndërsa disa ende janë në “pushim veror”.
Sidoqoftë, hendeku për një koalicion gjithëpërfshirës mbetet aktual dhe, për momentin, gara me një listë të përbashkët duket larg realitetit. Secili subjekt dëshiron, në njëfarë mënyre, ta sfidojë veten dhe të masë forcën e tij, për të parë se ku ka arritur.
Edhe pse një listë e përbashkët do të ishte një zgjidhje shumë reale, e kapshme dhe do të krijonte mundësi për më shumë se një deputet shqiptar, inatet politike dhe interesat e ngushta duket se po e bëjnë këtë opsion gjithnjë e më të vështirë për t’u realizuar.
Nga bisedat që LajmiAL ka zhvilluar me disa zyrtarë të subjekteve politike, për momentin një listë e përbashkët konsiderohet e pamundur. Madje, sipas tyre, bëhet fjalë për një ide që nuk do të realizohet për shkak të kalkulimeve dhe interesave politike.
Megjithatë, bisedimet e brendshme tashmë kanë nisur. Shkëmbimi i propozimeve duket se ka filluar dhe, bazuar në situatën aktuale, përfundimi i këtyre negociatave nuk duket aspak i kënaqshëm për ata që shpresojnë në një bashkim të subjekteve politike shqiptare.
Në këtë drejtim, mbetet edhe një faktor tjetër që mund të ndikojë ndjeshëm në këtë proces: zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSH), të cilat tashmë duket se janë të pashmangshme në tetor të këtij viti.
Duke pasur parasysh se, bazuar në regjistrimin e fundit, Kuvendi i KKSH-së nuk do të ketë më 15, por 29 këshilltarë, kjo mund të ndryshojë ndjeshëm “pazarin” politik dhe të ndikojë drejtpërdrejt edhe në formimin e listave për zgjedhjet parlamentare.
Sa i përket KKSH-së, për postin e kryesuesit të këtij institucioni, përveç pazareve mes subjekteve politike, flitet se kalkulime të tilla ekzistojnë edhe brenda vetë disa subjekteve. Madje, në disa prej tyre ka persona që tashmë kanë shfaqur dëshirën për ta provuar veten në këtë pozitë.
Pra, mbetet e hapur dilema: një listë apo dy lista?
Për momentin, duket se secili dëshiron të garojë më vete. Por deri në momentin e fundit, në politikë asgjë nuk është e prerë. Pazaret, interesat, KKSH-ja dhe kalkulimet për një mandat parlamentar mund ta ndryshojnë krejtësisht situatën.
Një gjë është e sigurt: motorët politikë tashmë kanë filluar të ndizen./LajmiAL/












