Bujanoc, 25 gusht 2026 — Këshillit Kombëtarë Shqiptarë (KKSH-së) iu kemi drejtuar me kërkesë konkrete për informacion mbi projektet e realizuara dhe fondet e përfituara, por deri më tani nuk i është përgjigjur pyetjeve të adresuara nga portali LajmiAL.
Redaksia e portalit LajmiAL i ka dërguar KKSH-së më 20 gusht 2026, në adresën elektronike kksh.bujanoc@gmail.com, pyetjet për informacion lidhur me financimet e siguruara nga donatorë ndërkombëtarë gjatë dy viteve të fundit, si dhe për përfshirjen e organizatave joqeveritare në aktivitetet e muajit nëntor 2026 të financuara nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë.
Në pyetjet drejtuar institucionit, LajmiAL ka kërkuar të bëhet publike numri i projekteve të përfituara, shuma totale e financimeve, emrat e donatorëve, periudhat e realizimit dhe qëllimet e projekteve.
Po ashtu, portalit i është interesuar edhe për OJQ-të e angazhuara në aktivitetet e muajit nëntor 2026, aktivitetet për të cilat janë përzgjedhur, si dhe shumat e mjeteve të ndara për secilën organizatë. Kërkesa përfshinte edhe informacion mbi procedurat dhe kriteret e përzgjedhjes, aty ku këto kanë qenë të aplikueshme.
Duhet theksuar se kërkesa ishte e kufizuar dhe e qartë. LajmiAL kishte specifikuar se në pyetjen mbi donatorët ndërkombëtarë nuk përfshiheshin financimet nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë dhe fondet e akorduara nga ministritë dhe institucionet e Shqipërisë dhe Kosovës.
Megjithatë, deri në publikimin e këtij artikulli, KKSH nuk ka dhënë përgjigje ndaj pyetjeve të redaksisë.
Heshtja si përgjigje?
Mungesa e një përgjigjeje nga një institucion që administron dhe menaxhon mjete për aktivitete në interes të komunitetit shqiptar ngre pikëpyetje të arsyeshme mbi nivelin e transparencës institucionale.
Pyetjet e LajmiAL nuk synojnë të paragjykojnë aktivitetin e KKSH-së, por të sigurojnë informacion të verifikueshëm për opinionin publik. Pikërisht për këtë arsye, përgjigjja e institucionit do të duhej të ishte një mundësi për të sqaruar publikisht se nga kanë ardhur fondet, sa janë ato, për çfarë janë përdorur dhe cilat organizata kanë përfituar nga aktivitetet e financuara.
Në mungesë të përgjigjes, publiku mbetet pa informacion mbi këto çështje dhe hapësira për dyshime e interpretime vetëm sa zgjerohet.
LajmiAL: Pyetjet mbeten të hapura
Redaksia e LajmiAL i bën me dije opinionit publik se pyetjet e dërguara më 20 gusht mbeten ende të hapura dhe se portali është i gatshëm t’i publikojë përgjigjet e KKSH-së nëse institucioni vendos të përgjigjet.
Transparenca nuk duhet të jetë vetëm një parim i deklaruar, por një praktikë konkrete. Kur bëhet fjalë për projekte, donacione dhe mjete financiare të përdorura për aktivitete publike, opinioni ka të drejtë të dijë se si dhe ku janë përdorur ato.
Për këtë arsye, LajmiAL i bën thirrje KKSH-së që të japë përgjigje konkrete dhe të dokumentuara për secilën prej pyetjeve të parashtruara.
Deri atëherë, pyetjet mbeten pa përgjigje — dhe heshtja e KKSH-së mbetet një çështje që kërkon shpjegim./LajmiAL/












