Fshati Muhoc i Bujanocit rrezikon të mbetet pa shërbim postar, për shkak të mungesës së internetit, pavarësisht se objekti postar vazhdon të jetë i hapur dhe ka funksionuar për vite me radhë.
Sipas informacioneve të siguruara nga LajmiAl, shërbimet në këtë zyrë postare aktualisht nuk mund të kryhen për shkak të mungesës së rrjetit të internetit. Problemi dyshohet se ka nisur pas mbylljes së bazës ushtarake serbe në zonën kufitare ndërmjet Muhocit dhe Breznicës, me ç’rast është larguar edhe repetitori përmes të cilit posta furnizohej me internet.
Kjo situatë po krijon vështirësi të mëdha për banorët e Malësisë së Bujanocit, të cilët prej vitesh e kanë pasur postën e Muhocit si mundësinë e vetme për dërgimin e letrave zyrtare, dokumenteve dhe shërbimeve të tjera që kërkojnë përdorimin e zarfeve si dhe pagesave të ndryshme.
Posta më e afërt për banorët e kësaj zone tashmë është ajo në fshatin Tërnoc të Bujanocit. Nëse llogaritet nga Zarbinca, aty ku nis rruga e asfaltuar, deri në Tërnoc janë rreth 26 kilometra, duke e bërë shërbimin postar dukshëm më të vështirë dhe më të kushtueshëm për banorët e Malësisë.
Banorët: Po na detyrojnë të shkojmë në Tërnoc ose në Bujanoc
LajmiAl ka kontaktuar disa banorë të zonës, të cilët kanë shprehur shqetësimin e tyre për situatën. Ata thonë se mungesa e internetit po i pengon të kryejnë edhe pagesa dhe shërbime të tjera, duke i detyruar të udhëtojnë deri në Tërnoc apo Bujanoc.
Sipas tyre, kjo situatë nuk duhet të përdoret si arsye për mbylljen e postës, pasi banorët e Malësisë së Bujanocit do të mbeteshin pa një shërbim thelbësor.
Banorët dyshojnë se problemi me internetin mund të merret si shkas për të arsyetuar mbylljen e postës së Muhocit, e cila për banorët lokal përbën një shërbim të rëndësishëm dhe të domosdoshëm.
Ata kërkojnë që institucionet përgjegjëse të ndërhyjnë dhe të gjendet një zgjidhje për rikthimin e internetit, në mënyrë që posta të vazhdojë të funksionojë dhe banorët të mos detyrohen të udhëtojnë dhjetëra kilometra për shërbime bazë.
Një postë e hapur, por pa shërbime – banorët frikësohen se ky mund të jetë hapi i parë drejt mbylljes së saj./LajmiAL/












