1 shtator 2026 – Viti i ri shkollor ka nisur sot në të gjitha shkollat e Serbisë, përfshirë edhe shkollat në Luginën e Preshevës. Megjithatë, për mijëra nxënës shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ky fillim viti shoqërohet me një problem të pazgjidhur: tekstet shkollore falas të siguruara nga Qeveria e Kosovës ende nuk kanë arritur në bankat e nxënësve.
Sipas këshilltarit të kryeministrit të Kosovës për Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafës, mjetet e parapara nga Qeveria e Kosovës për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit shqiptarë janë bllokuar nga institucionet e Serbisë.
Mustafa ka bërë të ditur se mbështetja për nxënësit shqiptarë në Luginën e Preshevës është realizuar në vazhdimësi gjatë viteve të fundit.
“Në vitin 2023, 3.847 nxënës të shkollave fillore në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë përfituan falas libra dhe fletore pune.
Në vitin 2024, 3.708 filloristë përfituan falas libra dhe fletore pune.
Në vitin 2025, u siguruan 35.448 tekste shkollore për 3.650 filloristë.
Për çdo vit nga fondi i Republikës së Kosovës”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e tij në rrjetet sociale.
Sipas tij, këtë vit situata ka ndryshuar, pasi përpjekja për të siguruar tekstet shqipe për nxënësit është përballur me atë që ai e cilëson si “bllokadë të re institucionale”.
“Sot, më 1 shtator 2026, 3.686 nxënës shqiptarë të shkollave fillore në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë e nisin vitin shkollor pa librat falas që u takojnë.
Jo sepse librat mungojnë. Jo sepse Kosova nuk i ka ndarë mjetet. Jo sepse Këshilli Kombëtar Shqiptar dhe shkollat nuk janë përgatitur.
Por sepse institucionet e Serbisë kanë bllokuar mjetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës të dedikuara për tekstet mësimore të fëmijëve shqiptarë”, ka deklaruar Mustafa.
Në Tërnoc, 50 nxënës nisin klasën e parë
Në Shkollën Fillore “Muharrem Kadriu” në Tërnoc, përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor janë përfunduar me kohë.
Drejtoresha e kësaj shkolle, Leonora Mehmeti, ka bërë të ditur për LajmiAL se këtë vit, për herë të parë, në bankat shkollore do të ulen 50 nxënës të klasës së parë, të organizuar në tri paralele.
Megjithatë, edhe në këtë shkollë ende nuk ka një informacion të qartë se kur dhe në çfarë forme do të sigurohen tekstet shkollore falas.
“Ende nuk kemi informacion se çfarë do të ndodhë me tekstet shkollore”, ka thënë Mehmeti për LajmiAL.
Ajo ka shtuar se gjatë ditës së nesërme do të zhvillohet një takim në Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSH), ku pritet të diskutohet pikërisht çështja e teksteve shkollore dhe hapat që do të ndërmerren për zgjidhjen e problemit.
Ndërkohë, shkolla i ka kryer me kohë të gjitha përgatitjet për pritjen e nxënësve dhe sot ka hapur dyert për të gjithë nxënësit, duke shënuar fillimin e vitit të ri shkollor.
Mungesa e teksteve falas në ditën e parë të shkollës rikthen në vëmendje sfidat me të cilat përballen nxënësit shqiptarë në Luginën e Preshevës dhe nevojën për një zgjidhje institucionale që do t’u mundësonte atyre qasje të rregullt në tekstet mësimore në gjuhën shqipe.












