Pas dy takimeve të mbajtura me subjektet politike shqiptare PD-në, PVD-në dhe LPD-në, Kryetari i komunës së Bujanocit Arbër Pajaziti i ka vendosur vija të kuqe PD-së dhe PVD-së për ndonjë koalicion të mundshëm bashkëqeverisës. Nga ana tjetër sipas postimit të Pajazitit dera për një marrëveshje të mundshme me LPD-në mbetet e hapur.
Në postimin e tijë ndër të tjerash Kryetari i komunës së Bujanocit ka shkruar “Me përjashtim të LPD-së, fal seriozitetit deridiku të kryetarit të saj, këtë kapitull e mbyllim me PVD-në dhe PD-në deri në zgjedhjet e reja”
Sipas postimit të Pajazitit, lë të kuptohet se pjesëmarrësit e takimit të PD-së dhe PVD-së nuk kanë qenë të rangur të tijë, ndërsa ka pohuar se LPD nuk mund ti përfaqësojë opozitën.
“Ftesës iu jam përgjigjur pozitivisht unë dhe kryetari i LPD-së Shqiprim Musliu, derisa PVD dhe PD kishin deleguar figura më të ulëta të hierarkisë partiake, me arsyetim se liderët e tyre ishin “të nxënë”. Është e vërtetë se z. Musliu u paraqit në takim por ai nuk përfaqësonte opozitën siç më kishte pohuar z. Bejtullahu nga OVL” ka shkruar Pajaziti.
Takimet janë mbajtur nën organizimin e OVL-UÇPMB-së dhe mbetet të shihet ditëve në vijim qëndrimi i OVL-së rreth këtij takimi.
Postimi i plotë i Kryetarit të komunës së Bujanocit Arbër Pajazitit
Një grackë demode e opozitës
Ditëve të fundit isha dëshmitar i një farse të përgatitur nga pjesa dërmuese e opozitës së Bujanocit e cila, për fatin e keq të atyre që i besojnë, vazhdon të udhëhiqet nga epshet djallëzore të moszgjedhjes së mënyrave për të ardhur në pushtet, ndërsa për fatin tim të mirë, edhe një dëshmi se është larg politikës reale dhe si e tillë nuk paraqet ndonjë konkurencë serioze në skenën politike.
Në fakt, në fund të javës së kaluar, kam pranuar një ftesë nga kryetari i OVL-së në Bujanoc, Bejtulla Bejtullahu, për një takim gjithëpërfshirës të udhëheqësve të subjekteve politike të komunës tonë për të shyrtuar situatën aktuale, në veçanti pozitën e shqiptarëve.
Ftesës iu jam përgjigjur pozitivisht unë dhe kryetari i LPD-së Shqiprim Musliu, derisa PVD dhe PD kishin deleguar figura më të ulëta të hierarkisë partiake, me arsyetim se liderët e tyre ishin “të nxënë”.
Duke e parë këtë si joserioze, me kryetarin e OVL-së u dakorduam që të organizohet një takim tjetër.
Dje, përmes telefonit, kryetari i OVL-së, z.Bejtullahu, më konfirmoi organizimin e një takimi për sot, e mërkurë, duke më vërtetuar se opozita kishte autorizuar kryetarin e LPD-së Shqiprim Musliun, për ta përfaqësuar atë.
Por nuk doli ashtu.
Është e vërtetë se z. Musliu u paraqit në takim por ai nuk përfaqësonte opozitën siç më kishte pohuar z. Bejtullahu nga OVL.
Edhe sot PVD dhe PD kishin deleguar figura më të ulëta partiake duke dashur të zhvlerësojnë prezencën time si kryetar komune.
Që ironia të jetë më e madhe, kryetari i LPD-së tentoi që unë të nënshkruaj një letër ku “partitë opozitare shprehin gatishmërinë për një koalicion gjithëshqiptarë”, gjë që refuzova ta bëj kategorikisht.
Para sa ta braktis takimin, e shtrova pyetjen nga të pranishmit se, si është e mundur që kryetarët e partive opozitare kërkojnë koalicion ndërsa nga ana tjetër nuk takohen me kryetarin e komunës?
Por, e thash edhe aty dhe po e përsëris edhe këtu:
Kjo ishte lajthitje e rradhës e opozitës e cila kishte tentuar të na “nxë në befasi”.
Partnerëve të koalicionit tonë i kishte dërguar selame se po bie koalicioni duke i bër oferta për një koalicion të ri të ndërtuar nga ata, kurse mua deshën të më fusin në epizodin e grackës së radhës, ngjashëm me atë të “iniciativës së ish kryetarit të KKSh”.
Sot e 1000 vjet, këto lojëra me skenar të njejtë, me po ata regjisorë të demoduar, për Frontin për Ndryshim janë të njohura.
Me përjashtim të LPD-së, fal seriozitetit deridiku të kryetarit të saj, këtë kapitull e mbyllim me PVD-në dhe PD-në deri në zgjedhjet e reja.
Na injoruan në qershor dhe korrik të vitit të kaluar.
Përmes një forme tjetër deshën të na fusin në grackë edhe tani.
Në fund të fundit, krejt çka bën i bën vetes së tyre.
Për mua dhe për Frontin për Ndryshim janë të njejtit amatorë. Le të vazhdojnë me këtë avaz. Të paktën deri në 2028-ën, ka shkruar Pajaziti.












