Fillon fushata “Në maturë pa veturë”, do të zgjasë deri në qershor në më shumë se 60 komuna

0
249

Agjencia për Sigurinë në Komunikacion ka nisur fushatën me titull “Në maturë pa veturë”, e cila këtë vit do të përfshijë më shumë se 60 komuna në Serbi, deklaroi ndihmësi i drejtorit të kësaj agjencie, Velko Qurçiq. Ai rikujtoi se në territorin e Serbisë, gjatë vitit 2025, sipas të dhënave paraprake, në aksidente trafiku kanë humbur jetën 102 të rinj të moshës nga 15 deri në 30 vjeç.

Fushata “Në maturë pa veturë” nis zyrtarisht sot nga Leskoci dhe Doleci dhe do të zgjasë deri në muajin qershor. Në ditët në vijim, Agjencia për Sigurinë në Komunikacion do të organizojë tribuna dhe aktivitete informuese në të gjithë Serbinë, në të gjitha komunat që janë përfshirë në këtë fushatë.

Qëllimi i fushatës është parandalimi i aksidenteve dhe viktimave të të rinjve në trafik, përmes rritjes së ndërgjegjësimit për rreziqet e shpejtësisë së madhe, drejtimit të automjetit nën ndikimin e alkoolit dhe formave të tjera të sjelljes së pasigurt në trafik. Njëkohësisht, u bëjmë thirrje maturantëve për sjellje të përgjegjshme në trafik, veçanërisht në një nga momentet më të rëndësishme dhe më emocionale të jetës së tyre – festën e maturës, thonë nga agjencioni.