UKRAINA NË PRAG TË LUFTËS – SHBA E BRITANIA TËRHEQIN STAFIN DIPLOMATIK

0
183

Shtetet e Bashkuara kanë urdhëruar largimin e familjarëve të punonjësve në ambasadën në Kiev dhe thanë se të gjithë qytetarët amerikanë duhet ta konsiderojnë largimin nga Ukraina për shkak të kërcënimit të veprimit ushtarak nga Rusia.

Departamenti amerikan i Shtetit më 23 janar u tha familjarëve të stafit në ambasadën në Kiev se ata duhet të largohen, ndërkaq punonjësit jothelbësorë të ambasadës mund të largohen vullnetarisht dhe Qeveria do të paguajë shpenzimet e udhëtimit. Këto urdhra u lëshuan “për shkak të kërcënimit të vazhdueshëm nga veprimi ushtarak rus”, tha Departamenti përmes një deklarate. DASH po ashtu shtoi se Qeveria amerikane “nuk do të jetë në gjendje të evakuojë” shtetasit amerikanë në Ukrainë, prandaj ata duhet të planifikojnë me kujdes dhe ta shqyrtojnë mundësinë që të përdorin opsione komerciale për t’u larguar nga shteti, tha një zyrtar i Departamentit gjatë një konference virtuale me gazetarë. “Këto janë masa paraprake, të kujdesshme, që në asnjë mënyrë nuk minojnë mbështetjen apo angazhimin tonë për Ukrainën”, tha zyrtari. Ai nuk pranoi që të jepte një vlerësim se sa amerikanë jetojnë në Ukrainë, por theksoi se Ambasada amerikane “do të vazhdojë të operojë në mënyrë të pandërprerë për të mbështetur Ukrainën në këtë moment kritik”. Kushtet e sigurisë, veçanërisht përgjatë kufirit të Ukrainës në rajonin e Krimesë të okupuar nga Moska dhe në territorin në lindje të Ukrainës që kontrollohet nga Rusia, “janë të paparashikueshme dhe mund të përkeqësohen me pak paralajmërim”, u tha në deklaratë. Edhe britania e madhe ka nisur tërheqjen e stafit nga ambasada britanike në Ukrainë, në mesin e paralajmërimeve për një pushtim rus. Zyrtarët thanë se nuk ka ndonjë kërcënim specifik ndaj diplomatëve britanikë, por gjysma e stafit që punon në kiev do të kthehet në vend. Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha ndërkohë se deri më tani nuk ka asnjë vendim që personeli i BE në Ukrainë të largohet nga vendi.

50 mijë trupa amerikane në Evropë / Biden: Luftanije dhe bombardues pranë kufijve të Rusisë

Presidenti Joe Biden mund të dislokojë deri në 50 mijë trupa amerikane si edhe avionë dhe luftanije në evropën lindore, për të balancuar një grumbullim të trupave ruse që ka ndezur frikën se vladimir Putin po përgatitet të pushtojë Ukrainën.

Plani do të shihte 1 deri në 5 mijë ushtarë që do të dërgohen në vende aleate të NATO-s si Lituania, Estonia dhe Letonia, vende këto që kufizohen me territorin rus. Numri i trupave mund të rritet më pas deri në 50 mijë nëse situata e sigurisë do të përkeqësohet, mbështetur edhe nga luftanije dhe avionë të tjerë ushtarakë.

Zyrtarët e Pentagonit ia paraqitën planin presidentit Biden gjatë një takimi në Camp David në fundjavë, ku u mblodhën për të diskutuar opsionet ushtarake për të zbrapsur një sulm të mundshëm të rusisë pasi kërcënimet për sanksione ranë në vesh të shurdhër.

Plani nuk do të përfshinte dislokimin e trupave amerikane direkt në Ukrainë, me Biden që mendohet se nuk do të donte të hynte menjëherë në një tjetër konflikt pas tërheqjes katastrofike të trupave amerikane nga afganistani, vitin e kaluar, raporton Neë York Times.

Biden do të vendosë për masat ushtarake brenda kësaj jave, shton gazeta, edhe pse bisedimet e nivelit të lartë mes Uashingtonit dhe Moskës, vazhdojnë, me SHBA që do të kthejë një përgjigje me shkrim për kërkesat e rusisë për garanci sigurie./TCH/