Berisha: Dialogu kyç për forcimin e marrëdhënieve dhe përmirësimin e pozitës së shqiptarëve

0
256

Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror, Demo Berisha, zhvilloi një takim me ambasadorin e Shqipërisë në Serbi, Bardhyl Canaj, ku u vlerësua se, pavarësisht sfidave ekzistuese në marrëdhëniet mes dy vendeve, është e domosdoshme hapja e kapitujve të rinj për intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh dhe përmirësimin e pozitës së komunitetit shqiptar në Serbi.

Gjatë takimit u diskutua për krijimin e formave konkrete të bashkëpunimit që do të ndihmonin në avancimin e pozitës së të dy popujve, si dhe në zgjidhjen e problemeve përmes dialogut të hapur, i cili u theksua si mekanizmi kryesor i bashkëpunimit.

Ministri Berisha theksoi se Këshilli Kombëtar i Pakicës Kombëtare Shqiptare vazhdon të refuzojë çdo formë komunikimi me ministrinë përkatëse, gjë që, sipas tij, nuk ndihmon në përmirësimin e pozitës së qytetarëve që përfaqëson, por përkundrazi thellon sfidat ekzistuese dhe ngadalëson zgjidhjen e problemeve.

“Dialogu është e vetmja rrugë e qëndrueshme dhe e përgjegjshme për zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe për avancimin e të drejtave dhe pozitës së të gjitha pakicave kombëtare, pasi nënkupton respekt të ndërsjellë, shkëmbim argumentesh dhe kërkim të përbashkët të zgjidhjeve të qëndrueshme në interes të qytetarëve”, deklaroi ministri Berisha.

Ai shtoi se ministria mbetet e hapur për dialog në çdo kohë, duke e cilësuar këtë si të domosdoshme për tejkalimin e sfidave, dhe shprehu pritjen për një qasje të përgjegjshme nga të gjithë akterët e përfshirë në këtë proces.