Ky është fshati më i çuditshëm në botë: Banorët nuk kanë televizione, askush nuk pi duhan e alkool, janë ortodoksë por nuk kryqëzohen, ndërsa lakra e tyre turshi është e famshme

0
263

Në malet e Armenisë veriore fshihet Fioletovo, ku prej gati dy shekujsh jetojnë molokanët, pjesëtarë të një komuniteti rus. Shumëkush e quan këtë vend fshatin më të çuditshëm në botë.

Në zemër të maleve të Armenisë veriore ndodhet fshati Fioletovo – një cep i pazakontë në mes të Kaukazit, ku prej afro dyqind vjetësh jetojnë besimtarë staroverë, të njohur si molokanë. 

Ky fshat, me shtëpi të zbukuruara me gdhendje druri, banorë sykalterë dhe një kulturë specifike, duket sikur i përket një dimensioni tjetër.

Në Fioletovo nuk pihet duhan, nuk konsumohet alkool, nuk ka televizione dhe sharjet janë të panjohura. Banorët jetojnë sipas rregullave të trashëguara nga të parët e tyre, duke besuar në një jetë të thjeshtë dhe në respektimin e vlerave tradicionale.

Për molokanët, praktikat fetare janë tërësisht të ndara nga hierarkia e Kishës Ortodokse: ata nuk i pranojnë ikonat, nuk kryqëzohen dhe ritualin e pagëzimit e quajnë “kstinë”. Emri i tyre lidhet me faktin se gjatë agjërimit konsumojnë produkte të qumështit, gjë që binte ndesh me rregullat ortodokse, ndaj perandori Nikolla I i dëboi larg botës ortodokse. Megjithatë, vetë molokanët e hedhin poshtë këtë shpjegim dhe thonë se emri i tyre rrjedh nga shprehja biblike “qumështi shpirtëror”.

Një komunitet i qetë me rregulla të qarta

Sot Fioletovo ka rreth 380 familje, afërsisht 1.500 banorë dhe vetëm dy rrugë kryesore. Anëtarët e këtij komuniteti starover, punëtorë dhe të ndershëm, nuk njihen për imponimin e produkteve të tyre, por për shitjen e përmbajtur dhe fytyrat e buta, pothuaj eterike, që të kujtojnë portretet e pikturave të vjetra. Patatet, qumështi dhe lakra turshi molokane në stendat e shitjes tërheqin vëmendjen e kalimtarëve anembanë Armenisë.

Komuniteti i Fioletovos i respekton rreptësisht zakonet: burrat rruhen vetëm pas martesës, gratë vishen me fustane modeste dhe përparëse të bardha, ndërsa fotografimin e konsiderojnë “djallëzor”.

Të famshëm për lakrën turshi

Molokanët e parë u vendosën në këtë zonë të thellë në vitin 1840, të dëbuar nga gubernia e Tambovit. Mendohej se, të vendosur mes popujve të ndryshëm të Kaukazit, ata do të asimiloheshin, por ndodhi e kundërta: molokanët krijuan një komunitet të fortë dhe ruajtën zakonet ruse. Ata lanë tokat pjellore të Rusisë dhe u përballën me terrenin e ashpër të Kaukazit, duke i mësuar popullsisë vendase zanate dhe teknika të reja bujqësore, ndërsa vetë përvetësuan disa zakone lokale.

Fioletovo u bë i njohur si “Meka e lakrës turshi”. Çdo familje kultivon fushën e vet të lakrës, ndërsa lakra molokane, e fermentuar në fuçi lisi me shtimin e karotës, është e njohur në mbarë rajonin. Banorët thonë se sekreti i shijes qëndron në sasitë e mëdha dhe përkushtimin me të cilin përgatitet.

Në fshat sundon një etikë e rreptë dhe një hierarki strikte: të gjitha vendimet e rëndësishme merren nga komuniteti, në konsultim me presbiterin – udhëheqësin shpirtëror të fshatit. Dikur, ferma kolektive (kolhozi) i Fioletovos ishte ndër më të suksesshmet në rajon dhe, gjatë regjimit sovjetik, fshati u bë i njohur për eksportin e lakrës turshi në mbarë ish-BRSS-në.

Jetë në harmoni me fenë dhe komunitetin

Molokanët kanë qenë gjithmonë të njohur për moralin e tyre të lartë. Në Fioletovo krimet janë të rralla dhe, edhe kur ndodhin, banorët shmangin konfliktet ligjore, pasi besojnë se gjykimi i dikujt është barrë e rëndë për shpirtin e vet. Shumë familje vazhdojnë të jetojnë me modesti – rreth 50 banorë refuzojnë pensionet, duke besuar se nuk është e pranueshme të marrësh para që nuk i ke fituar vetë.

Fioletovo është një shembull unik i bashkëjetesës së një komuniteti rus në zemër të Armenisë. Edhe pse të rinjtë po largohen gjithnjë e më shumë për shkollim dhe punë, molokanët e Fioletovos mbeten besnikë ndaj traditave, duke besuar se malet e Kaukazit u japin ndjenjën e sigurisë dhe përkatësisë. Në këtë cep të qetë të Armenisë, larg dritave të qytetit dhe antenave televizive, jeta rrjedh me ritmin e vet, e udhëhequr nga thjeshtësia dhe vlerat shpirtërore.