Vendin e pret një valë e re e të nxehtit, me temperatura nga 35 deri në 40 gradë Celsius, ndërsa lokalisht temperaturat mund të arrijnë edhe rreth 42 gradë. Ky është paralajmërimi më i fundit i Institutit Republikan Hidrometeorologjik të Serbisë.
IRH ka lëshuar një sërë paralajmërimesh meteorologjike dhe aktualisht janë aktivizuar 5 alarme moti, ndërsa një paralajmërim i veçantë është në fuqi.
Megjithatë, para rikthimit të vapës së madhe, Serbia do të përfshihet përkohësisht nga një freskim i motit, i cili do të shoqërohet me rrebeshe shiu, erë të fortë dhe rënie të ndjeshme të temperaturave.
Sipas IRH-së, temperaturat maksimale sot (17 gusht) do të lëvizin nga 33 deri në 36 gradë Celsius.
Nesër, më 18 gusht, pritet një freskim i përkohshëm, me uljen e temperaturave maksimale ditore në 27–31 gradë.
Por, që nga e mërkura, 19 gusht, temperaturat do të nisin të rriten ndjeshëm.
Nga e enjtja, 20 gusht, deri të martën, 25 gusht, pritet një valë e fortë e të nxehtit, me temperatura maksimale nga 35 deri në 40 gradë Celsius. Në pjesën qendrore dhe jugore, ku pritet të jetë më nxehtë, temperaturat lokalisht mund të arrijnë deri në 42 gradë Celsius.












