Në kuadër të masave për mbështetjen e qytetarëve, nga sot ka hyrë në fuqi ulja e përhershme e çmimeve të disa barnave për parandalimin e mpiksjes së gjakut dhe barnave që përdoren për trajtimin e dobësisë së zemrës.
Për këtë masë, shteti ka ndarë nga buxheti 3.7 miliardë dinarë, ose rreth 32 milionë euro.
🔹 Barnat për parandalimin e mpiksjes së gjakut
Çmimet e tyre, të cilat deri tani varionin nga rreth 1.700 deri në 6.000 dinarë, tani janë ulur në 600 deri në 1.100 dinarë. Qytetarët do të paguajnë vetëm 30% të çmimit, ndërsa 70% do të mbulohet nga shteti.
🔹 Barnat për dobësinë e zemrës
Çmimet e këtyre barnave, të cilat më parë varionin nga 2.500 deri në 4.500 dinarë, tani janë ulur me të paktën 50%.
📌 E rëndësishme: Për të përfituar nga çmimi i reduktuar, qytetarët duhet të kenë recetë mjekësore, pasi këto barna lëshohen vetëm me recetë.
Qëllimi i kësaj mase është që barnat e rëndësishme për shëndetin dhe jetën e qytetarëve të jenë më të përballueshme dhe më të qasshme për të gjithë.
Ministri i Shëndetësisë i Serbisë, Zlatibor Lonçar, deklaroi se nga sot pacientët do të mund të blejnë me çmime dukshëm më të ulëta dy barna për trajtimin e insuficiencës së zemrës dhe 16 barna për terapinë antikoagulante, pra për parandalimin e mpiksjes së gjakut.
Sipas Lonçarit, shteti po ndan dhjetëra miliona euro për të mundësuar uljen e çmimeve të këtyre barnave dhe për t’ua lehtësuar qytetarëve shpenzimet për trajtim.
“Pacientët që deri tani i kanë paguar këto barna me çmim të plotë, për terapinë antikoagulante dhe insuficiencën e zemrës, tani, me recetën e mjekut të tyre, mund t’i marrin në farmaci me një çmim dukshëm më të ulët”, tha Lonçari në një konferencë për media.
Ai theksoi se është e nevojshme që pacientët të kenë recetë nga mjeku i tyre, ndërsa pjesën tjetër të kostos do ta mbulojë shteti.
📌 Pra, qytetarët që kanë recetë të vlefshme do të mund t’i blejnë këto barna me çmime dukshëm më të përballueshme.












