20 bursa dhe konvikt falas për maturantët e Luginës në Elbasan

0
270

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka bërë të ditur një mundësi të rëndësishme për maturantët shqiptarë nga Lugina e Preshevës: ofrimin e 20 bursave të plota studimi, të shoqëruara edhe me akomodim falas në konviktet publike në Elbasan.

Kjo iniciativë është realizuar falë bashkëpunimit me Universiteti “Aleksandër Xhuvani” dhe Bashkia e Elbasanit, të cilat kanë marrë përsipër mbulimin e plotë të kostove të studimit dhe strehimit për përfituesit.

Në kuadër të kësaj nisme, Këshilli Kombëtar Shqiptar, së bashku me ambasadorin Bardhyl Canaj, organizoi një vizitë studimore dhe promovuese për rreth 50 maturantë nga Preshevë dhe Bujanoc. Gjatë vizitës, nxënësit patën mundësinë të njihen nga afër me kushtet e studimit, programet akademike dhe drejtimet që ofron universiteti, përmes takimeve me rektorin dhe dekanët e fakulteteve.

Kryetari Rexhepi theksoi se, në një kohë kur sfidat në arsim mbeten të shumta, mundësi të tilla për të rinjtë shqiptarë të Luginës janë konkrete dhe me vlerë të veçantë për të ardhmen e tyre akademike.

Këshilli Kombëtar Shqiptar u bën thirrje të gjithë maturantëve të interesuar që të informohen më tej pranë këtij institucioni dhe të aplikojnë për të përfituar nga kjo mundësi.

Në përmbyllje, Rexhepi ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e institucioneve në Shqipëri, duke e cilësuar këtë nismë si një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të arsimit për të rinjtë e Luginës. 🇦🇱